Shfaqja “Jetë me qira”, vënë në skënë nga teatri shqiptar i Shkupit, u shpall nga juria e festivalit, si shfaqja më e mirë e këtij edicionin e sivjetëm që u mbajt nga 8 deri më 14 tetor në qytetin e Ferizajt.
Për shtatë net rresht në skenën e teatrit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, u ngjiten qindra artist si nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Ferizajt, por e veçanta e këtij Festivali ishte se këtë vit kanë qenë tri drama kombëtare.
Jurinë profesionale të Festivalit të Teatrove të Kosovës është përbërë nga profesor Fadil Hysaj- pedagog dhe dramaturg, Drita Krasniqi- aktore dhe profesor Agim Selimi- regjisor.
U ndanë edhe shpërblime të tjera si aktori më i mirë – Mentor Zymberaj, aktorja më e mirë – Gresa Pallaska, e cila mori edhe çmimin e gazetarëve ferizajas, roli më i mirë episodik – Elona Hyseni dhe Xhejlane Godanci, roli i dytë më i mirë mashkull – Adem Karaga dhe Musbajdin Qamili, roli i dytë më i mirë femër -Flora Kadriu, ndërsa çmimin për regjinë më të mirë e mori Kushtrim Koliqi. Drejtori i Teatrit shqiptar të Shkupit, Adem Karaga, u shpreh mjaft i kënaqur me pritjen qe i bënë kësaj trupe në Ferizaj.
“Sido që të jetë, për ne është kënaqësi e veçantë për të qenë pjesë e këtij festivali dhe unë shpresoj që duke i dëshiruar këtij festivali jetëgjatësinë, punën e zellshme të organizatorëve që kanë bërë, trupat e mirëfillta që bëhen pjesë e këtij festivali, mikpritjen e bukur të Ferizajt. Jetë të gjatë shëndet dhe suksese”, tha Karaga Organizatorët e këtij festivali, ndanë mirënjohje për të gjitha trupat pjesëmarrëse në këtë edicion, ndërsa falënderuan të gjithë ata që ndihmuan në mbarëvajtjen e punëve, kritikët, udhëheqësit e debateve, organizatën joqeveritare “Nisma për aktivizim” si edhe mediat.
Festivali i Teatrove të Kosovës është mbajtur për të 43-tën herë me radhe.
Në Ferizaj, ka përfunduar festivali i 43-tën me radhë i Teatrove të Kosovës. Në këtë eveniment për 7 net radhazi, artdashësit patën mundësi që të ndjekin shfaqje të ndryshme. Në natën finale të këtij festivali mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili ndau edhe çmimin kryesor të këtij festivali.