Shfaqja “Kaos atdhedashurie në Paris” e Teatrit “Adriana” të Ferizajt, u shpall nga juria e Festivalit të Teatrove të Kosovës si më e mira e edicionit të sivjetëm, që u mbajt nga 21 deri më 27 tetor. Në këtë festival në skenë u paraqiten 11 pjesë teatrale, ndërsa jurinë profesionale të festivalit të teatrove e përbënin : profesor Fadil Hysaj, Besim Rexhaj profesor në Akademinë e Arteve të Prishtinës dhe Rozi Konstani profesoreshë në Akademinë e Arteve të Tiranës. Regjisori më i mirë u shpall Gerti Bejko për shfaqjen “Lagja 45” të teatrit Metrolpolis të Tiranës, shpërblimi “Adriana” për aktoren më të mirë e fitoi Merita Smaja, në shfaqjen “Dy jetë” të teatrit “Migjeni” nga Shkodra, shpërblimin “Ismajl Rama” aktori më i mirë e fitoi Ismet Azemi në shfaqjen “Kaos atdhedashurie në Paris”.
Roli i dytë femër i takoi Driada Matoshit në shfaqjen “Vetëm në Perëndim”, ndërkaq Lirak Çelaj e fitoi çmimin për rolin e dytë në konkurrencën e meshkujve për shfaqjen “Nata e Helverit”. Kurse juria vendosi që për rolin episodik të nderojë Arben Spahiun për shfaqjen “Dy jetë”. Kurse çmimi i gazetarëve të cilin e jep klubi i Gazetarëve “Haki Braha” të Ferizaj i takoi violonçelistit Iliard Shaba në shfaqjen “Veshi Privat-Syri Publik”. Organizatori i festivalit më të mirë i nderoi me mirënjohje dhe trofe.
Festivali i Teatrove të Kosovës është mbajtur për të 41 herë me radhe.
Mbrëmë në Ferizaj, ka përfunduar festivali i 41 me radhë i Teatrove të Kosovës. Në këtë eveniment për 7 net radhazi, artdashësitë patën mundësi që të ndjekin nga dy shfaqje brenda ditës.