Pandemia e virusit COVID-19, e cila ka sjellë angazhim të shtuar për stafin shëndetësor, tash e sa muaj, po menaxhohet me të gjitha kapacitetet në të gjitha institucionet shëndetësore në nivel lokal, qoftë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ashtu edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.
Porse së fundmi, me arritjen e kontigjentit të vaksinave kundër gripit sezonal, një numër i madh i qytetarëve ferizajas kanë kërkuar këtë shërbim. Në një organizim të shkëlqyer, të stafit e shpërndarjes gjeografike për dhënien e vaksinës kudo në Ferizaj, vetëm në 4 ditëshin e fundit, në Qendrën 2 të Mjekësisë Familjarë janë vaksinuar mbi 1100 qytetarë, kërkesë kjo në rritje nga qytetarët për vaksinimin kundër gripit sezonal.
Kjo përpjekje e punë e jashtëzakonshme e mantelbardhëve të QKMF-së në mbrojtje të shëndetit publik është domethënëse kur kihet parasysh fakti se edhe shërbimi shtëpiak për të infektuarit me virusin COVID-19 po kryhet me kapacitet të plotë nga stafi i QKMF-së.