
Bizneset janë shprehur pro këtij aksioni solidar, ndërsa kanë përmendur disa forma të ndihmave, si derdhjen e mjeteve përmes xhirollogarisë, vendosjen e kamionëve për grumbullimin e ndihmave në disa pika kyçe të qytetit, si dhe vizitat nëpër biznese nga komisioni, ku ata do të deklarohen për llojin e ndihmave dhe sasinë. Kryetari i këtij komisioni, Fehmi Krasniqi, ka thënë se ky komision do të filloj menjëherë aktivitetin, ndërsa ka vënë në dukje se qysh nesër do të vendosen kamionët në qendër të qytetit për të grumbulluar ndihma nga bizneset por edhe qytetarët e interesuar. Vlen të theksohet se tërë transportin e këtyre ndihmave me kamion për në Shkodër do ta bëjë ndërmarrja "Nderimi", ndërsa formën e grumbullimit të ndihmave nëpër pika të caktuar e ka propozuar firma tregtare"Ben -af".Komuna e Ferizajt është zotuar se do të siguroj derivatet për transportin e ndihmave në sasi prej 250 litrave, për të siguruar njëherësh edhe sasi të reja të ushqimit për kafshët.
Ndryshe, bizneset ferizajase por edhe qytetarët edhe vitin e kaluar i kanë ndihmuar këto zona me ndihma të ndryshme.
Kryetari i këtij komisioni është zgjedhur Fehmi Krasniqi, ndërsa këtë aktivitet të bizneseve e ka vlerësuar lartë edhe kreu i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, duke vënë në pah se këto zona në vazhdimësi janë të rrezikuara dhe së nevojat për ndihma janë më se të domosdoshme.