
Kryetari i Ferizajt Bajrush Xhemaili, nuk kurseu fjalë për ata që po bëjnë shkatërrimin e pyjeve dhe u qoi selam prej këtij takimi se u erdhi fundi prerjeve të paligjshme të pyjeve, tash kur kompetencat për ruajtje e tyre po u kthehen kuvendeve komunale, siç u bë edhe me komunën e Ferizajt. " Mjaft më, u erdhi fundi shkatërrimi të pyjeve. Në mënyrë të paligjshme prehen drutë, jo vetëm për nevoja familjare për t’i siguru drutë për dimër, por dëmi më i madh po na bëhet nga ata që bëjnë biznes me dru, plaçkitin malet, nuk japin kurrfarë llogarie dhe nuk dinë të ndalen. Po ju them se ata që e shkatërruan e sakatuan malin, tash e tutje do të shkatërrohen nga institucionet tona, sepse askush nuk mundet të jetë mbi ligjin e do të merren masa të rënda ndaj shkaktarëve të shëmtimit të pyjeve e kjo sidomos vlen për shumë pronarë të firmave që i nga trupat e plaçkitura po bëjnë biznese ", ishte shumë i prerë, i vendosur e i ashpër kryetari Xhemaili, lidhur me shkatërrimin e pyjeve që po ngjanë edhe në malet e kësaj komune.
Komandanti i Policisë për Rajonin e Ferizaj, major Rashit Qalaj, e përkrahu plotësisht kryetarin Xhemaili dhe premtoi ndihmë konkrete në luftimin e kësaj të keqeje që po e rrezikon ambientin e natyrën në përgjithësi, në këtë komunës e më gjerë. "Me gjitha forcat do të luftojmë këtë gjë të shëmtuar. Jemi të gatshëm për bashkëpunim e do të ndërmarrim edhe hapa konkretë në këtë drejtim dhe do të marrim edhe iniciativa vetanake për të luftuar këtë dukuri shumë të dëmshme e të rrezikshme për ambientin e përmbajë Kosovën.
Të pranishëm në takim ishin edhe roje të pyjeve të cilët tregonin rrëfime rrënqethëse se si me rastin e zbulimit të shëmtimit e dëmtimit të maleve, u kanoset edhe jeta kur tentojnë të intervenojnë për të ndalur prerjen e paligjshme të pyjeve. Zeqir Maloku pylltar, rrëfen rastet të shumta kur ju është kanosur me likuidim vetëm se deshi të ndalojë dëmet pyjeve tona." Më kanë sulmu edhe fizikisht, njëherë kam qenë edhe në rrezik të jetës, por falë policisë e cila erdhi e intervenoi e më shpëtoi. Është një gjë e tmerrshme, alarmuese çka po ndodh në malet tona. Duhet njëherë e përgjithmonë thënë stop kësaj dukurie të shëmtuar. Është tmerr, tmerr…"përsëriste z.Maloku.
Kryetarit i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, gjatë një takimi të zhvilluar me autoritetet lokale të pyjeve dhe policinë, ka thënë se nuk do të ketë kompromis dhe çdo dëmtues do të përballet me ligjin.