I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, fillimisht u ka thënë të pranishmëve se komuna e Ferizajt ka një përvojë të mirë menagjeriale sepse ka arritur që në masën 97 përqind t’i realizoj obligimet buxhetore në të gjitha kategoritë buxhetore, e në veçanti nga investimet kapitale. Svarqa, ka thënë se gjatë këtij viti komuna ka pasur një buxhet prej 26 milion eurove, i cili ka qenë i përshkruar nga grantet qeveritare dhe të hyrave vetanake, ndërsa për këto të fundit ka thënë se planifikimi prej 4.2 milion eurove si të hyra është sjellur në vështirësi nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e borgjeve.
“ Në jemi të interesuar se shuma nga të hyrat të jetë më e madhe sepse jemi të interesuar që këto mjete tu kthehen qytetarëve tanë në formë të projekteve kapitale dhe investimeve “, ka thënë Svarqa, teksa ka përmendur se gjatë këtij viti në investime kapitale ka pasur 9 milion euro në projekte infrastrukturore që kanë qenë të lidhura me lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe qasjes së qytetarëve në qarkullim rrugor apo në shërbime tjera infrastrukturore.
“Kemi pasur një shumë prej 729 mijë eurove për subvencione të cilat nuk kanë qen të mjaftueshme për t’iu përgjigjur subvencionimin në veçanti të bujqësisë dhe subvencionimin e bizneseve të reja të hapura që ndërlidhen me ekonomitë e vogla dhe të mesme, po ashtu edhe një shpenzim tjetër prej mbi 400 mijë eurove që ndërlidhen me komunalitë”, ka thënë Svarqa.
Ai madje është ndalur te projektet kapitale , për të cilat ka thënë se gjatë këtij viti janë realizuar 44 projekte kapitale, në veçanti këtu ka përmendur projektet e rrugëve, ujësjellësve dhe kanalizimeve të cilat sipas tij janë bërë me një standard të lartë.
“Në bazë të kësaj, të shprehura në gjatësi kilometrash, 22 kilometra rrugë janë asfaltuar, kemi trotuar, 1.3 kilometër, kanalizim fekal, 10.3 kilometra, kanalizim atmosferik 1,7 kilometra, ujësjellës 2.2 kilometra. Është më rëndësi që në të gjitha këto projekte ne kemi aplikuar standard të papara deri më tani në komunën e Ferizajt”, ka nënvizuar Svarqa.
Tutje, në këtë dialogim drejtuesit e pushtetit kanë përmendur edhe projektet në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit ekonomik, kulturës, rinisë dhe sportit si dhe për projektet me donatorët e jashtëm. Këtu është përmendur edhe ulja e kostos së shpenzimeve, për të cilat është thënë se e kanë pasur ndikimin në numrin e projekteve kapitale.
Qytetarët kanë adresuar shumë kërkesa që lidhen me problemet infrastrukturore, por ka pasur edhe kërkesa të natyrave sociale siç është problem I punësimit.
Zenel Jashari, banor I rrugës “Brahim Ademi” ka ngritur problemin e ndarjes fizike të rrugës së re me katër korsi, e cila po u sjell probleme në qarkullimin e banorëve të kësaj rruge sidomos nxënësve, ndërsa Ahmet Sylejmani, banor I fshatit Nikadin ka pasur shumë kërkesa që lidhen me problemet infrastrukturore, siç është çështja e ujit të pijes, problemeve me pronat publike të uzurpuara si dhe me infrastrukturën sportive. Ndërsa, Ramadani Çerkini, banor i Ferizajt, ka ngritur çështjen e punësimit dhe të kompensimit të shërbimeve të varrimit.
Drejtuesit e pushtetit të Ferizajt I janë përgjigjur çështjeve të ngritura nga qytetarët duke thënë se një mori e tyre tashmë ndodhen nëpër pozicionet buxhetore të vitit të ardhshëm.
Në tubimin e fundit me qytetarët e komunës së Ferizajt, drejtuesit e pushtetit lokal kanë prezantuar të arritura dhe sfidat e punës njëvjeçare në të gjitha sektorët qeverisës, ndërsa qytetarët kanë ngritur problemet e natyrave të ndryshme me të cilat përballën.