Mësohet se me drithëra në komunën e Ferizajt janë të mbjellura 5000 hektarë, prej tyre me grur 4500 hektarë, ndërsa 500 hektarë janë sipërfaqe të mbjellura me elb dhe tërshër. Drejtori i DBBZHR, Xhemajl Reçica, ka thënë, se rendimentet mesatare të grurit për hektar pritet që të silen rreth 4000 kg. Sipas tij komuna me kohë i ka bërë përgaditjet e fushatës, duke formuar edhe një komision i cili do ta përcjell gjendjen në teren.
"Për këtë fushatë kemi angazhuar në teren 90 autokombajna.Sot e kemi takimin me autokombajner dhe sipas parashikimeve pritet që fushata të përmbyllet brenda periudhës dhjetë ditore, nëse mbajnë kushtet klimatike.çmimi i korrjes për 1 ha do të jetë 110 euro" ka theksuar Reçica.
Për më tepër, bëhet e ditur se gjendja e grurit në përgjithësi është e mirë, ndërsa rendimentet kanë qenë të kushtëzuar nga faktorët klimatik.
"Besoj se rendimentet janë të mira ndonëse ka pasur të reshura dhe baroja të këqija që kanë ndikuar në rendiment" ka thënë Reçica.
Ndryshe, zyrtarët kanë përmendur edhe kushtet të cilat parashihen për grumbullimin e grurit, që sipas tyre ato duhet të silen në parametrat e lagështisë në masën 13-14 % dhe peshës hektolitare të grurit, e cila duhet të jetë në kuoten 78-80.Gjithashtu është bërë e ditur se komuna po i kordinon aktivitetet me qendrat e grumbullimit të grurit, të cilat edhe duhet tu përmbahën këtyre parametrave të cekura më lartë.
Fushata e korrje-shirjeve në komunën e Ferizajt ka nisur të premten në disa parcela me varitete të hershme të grurit, kanë bërë të ditur zyrtarë nga Drejtoria për Bujqësi, Blegtori dhe Zhvillim Rural të Ferizajt.