Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj ka lansuar të mërkurën në Ferizaj “Muajin e arsimit lokal”, me ç’rast ka folur edhe për sulmin e djeshëm që i ka bërë një person.
Pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e Ferizajt, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj ka thënë se vizita të këtij karakteri do të bëjë edhe në komunat tjera të Kosovës, me qëllim që të nxirret një bilanc se cilat kanë qenë sukseset e vitit të përfunduar shkollor dhe çka duhet përmirësuar në vitin e ardhshëm.
Duke folur për kornizën e re të kurrikulumit, Hoxhaj ka thënë se kjo kornizë synon që shkollat tona të ndryshohen në përmbajtje, formë, mision dhe që të tejkalohen shkollat e vjetra memorizuese të shekullit XX në një shkollë të re analitike.
Edhe kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili vuri në pah se falë ndihmës së MASHT dhe përgjithësisht Qeverisë së Kosovës tani kanë mundësi dhe hapësirë më të madhe që të bëhet edhe pavarësimi i shkollave.
Në këtë rast, ministri Hoxhaj bëri të ditur se vitin e ardhshëm do të përfundoj ndërtimi i objektit të shkollës profesionale të infermierisë e quajtur edhe si shkollë ekselente, ku në të do të mund të ndjekin mësimet nxënës nga të gjitha viset e Kosovës.
Ndërkaq i pyetur për incidentin që i ndodhi të martën, ministri Enver Hoxhaj ka thënë se në një konferencë në Qendrën Rajonale të Mjedisit, në të cilët u prezantua pakoja e gjelbërt, e cila merret me promovimin e ambientit, gjatë një kokteji, një qytetar ka bërë përpjekje ta sulmojë fizikisht.
“Unë çdo herë lëvizi lirshëm dhe do të vazhdoj të lëvizi lirshëm. Nuk ishte sulm fizik, ishte vetëm përpjekje për sulm fizik”, ka thënë ai.
Hoxhaj tha se edhe pse ka pasur një tentim për sulm fizik sikurse edhe më parë nuk e ka ndërmend të angazhoj truprojë personale.
“Ajo ishte situatë e pakëndshme. Policia është duke trajtuar rastin. Por ky rast nuk do të ndryshojë asgjë në sjelljen time politike ditore, do të jem pranë qytetarëve, pranë popullit”, ka thënë Hoxhaj.
Madje Hoxhaj ka përjashtuar edhe mundësinë që tentim sulmi të ketë pasur motive fetare.
“Sulmi nuk besoj se ka motive fetare. Si ministër i Arsimit respektoj Kushtetutën e Kosovës në formën si është shkruar. Kushtetuta e Kosovës rregullon çështjen e simboleve fetare dhe të shkollave publike”, ka thënë ai, ndërsa ka theksuar synimin e tij që asnjë nxënës të mos mbes jashtë bankave shkollore.
Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili vuri në pah se falë ndihmës së Ministris se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe përgjithësisht Qeverisë së Kosovës tani kanë mundësi dhe hapësirë më të madhe që të bëhet edhe pavarësimi i shkollave