Një donacion prej 20 laptopësh dhe një koleksion librash në gjuhën angleze kanë pasuruar ambientet dhe mundësitë mësimore të shkollës fillore “Ramadan Rexhepi” në Sojevë.
Ky donacion u bë i mundur falë iniciativës dhe angazhimit të ish-nxënëses së kësaj shkolle, Blerta Syla Ilazi, e cila jeton dhe vepron në Sheffield të Anglisë, si dhe bashkëpunimit me organizatën South Yorkshire Primary Care Workforce and Training Hub, ku ajo është e angazhuar profesionalisht.
Gjithçka nisi pas një vizite të Blerta Syla Ilazit në shkollën e saj të dikurshme, së bashku me kolegë nga Anglia, gjatë së cilës u krijua ideja për ta mbështetur shkollën me pajisje teknologjike dhe literaturë në gjuhën angleze. Kësaj nisme iu përgjigj pozitivisht edhe menaxherja e organizatës, znj. Louise Berwick, duke bërë të mundur realizimin e këtij donacioni.
Pas një procesi të gjatë dhe disa sfidave me procedurat e transportit dhe doganës, pajisjet dhe librat tashmë kanë arritur në shkollën “Ramadan Rexhepi”, duke sjellë gëzim te nxënësit dhe mësimdhënësit.
Me këtë rast, drejtoresha e shkollës, Arta Tahiri, ka shprehur mirënjohje të veçantë për Blerta Syla Ilazin, organizatën dhe menaxheren Louise Berwick, kompaninë Vata Transport, e cila mundësoi transportin e donacionit pa pagesë, si dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Ferizaj, në veçanti drejtorin Afrim Llabjani, për mbështetjen institucionale dhe ndihmën në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për procedurat doganore.
Ky kontribut përtej vlerës materiale përfaqëson një investim të rëndësishëm në edukimin, zhvillimin dhe të ardhmen e nxënësve, duke dëshmuar se lidhja me shkollën dhe vendlindjen mbetet e fortë, pavarësisht largësisë.