Nga nesër do të fillojë të mbahet në Ferizaj, Festivali i Teatrove të Kosovës, ku do të marrin pjesë trupa teatrale nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Presheva. Sipas drejtorit të Drejtorisë Komunale të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, Naim Feratit, ky edicion i këtij festivali do të jetë shumë më i veçantë në krahasim me festivalet e viteve të mëparshme. “Këtë vit kemi bërë përpjekje që të sjellim më shumë trupa dhe më shumë shfaqje në Ferizaj dhe kjo është risi e këtij festivali, për arsye se për herë të parë në këtë festival kemi nga dy shfaqje brenda ditës ku dashamirët e artit do të kenë mundësi që të shohin nga dy shfaqje brenda ditës në terminin në orën 17:00 dhe 20:00”, ka thënë Ferati.
Në Festivalin e Teatrove të Kosovës, kësaj radhe do të jenë edhe dy premiera të shfaqjeve njëra nga teatri “Migjeni” nga Shkodra me shfaqjen “Dy jetë” të autorit Fadil Kraja dhe me regji të Fatbardh Smaja si dhe shfaqja tjetër do të jetë po ashtu premierë e teatrit “Adriana” nga Ferizaj me titull” Kaos atdhedashurie në Paris” ku autor dhe regjisor i saj do të jetë Haqif Mulliqi.
Jurinë profesionale të Festivalit të Teatrove do të përbëjnë: profesor Fadil Hysaj, Besim Rexhaj profesor në Akademinë e Arteve të Prishtinës dhe Rozi Konstani profesoreshë në Akademinë e Arteve të Tiranës.
Për 7 ditë radhazi artdashësit do të kenë mundësi të ndjekin nga dy shfaqje brenda ditës.