Këshilltarët e kuvendit komunal të Ferizajt kanë lëshuar kritika në adresë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave(MEF), për kohën e shkurtër që iu është lënë për të diskutuar për këtë çështje sipas tyre shumë të ndjeshme, në një seancë të thirrur me urgjencë sotë per rishikim të buxhetit.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli para asambleistëve ka shpalosur projekt-propozimin për rishikimin e buxhetit për vitin 2010, duke thënë s e qeveria komunale ka qenë për së tepërmi e mobilizuar që në afat të përgatit ndryshimet dhe harmonizimit konform rrethanave të kërkuara nga MEF-i.
Ai ka thënë buxhetit komunal në vlerë prej 15 milionë e 300 mijë euro, me rishikim do t’i shtohen edhe 400 mijë euro dhe kjo është arritur nga pozicioni i të hyrave vetanake, ndërsa për destinacion do të kenë projektet kapitale.
Kreu i komunës ka shpjeguar se nga projekt-propozimi shihet qartë se si mjete të lira janë edhe 1.562.381.9 euro, të ardhura si rezultat i mjeteve të lira nga projektet tani të kontraktuara dhe nga mjetet e projekteve të larguara nga lista për vitin 2010.
Ndërkaq, gjatë debatit të zhvilluar këshilltarët komunal në parim i kanë përkrahur këto ndryshime, por kanë adresuar kritika në adresë të MEF-it për kohën e shkurtër që iu është lënë për të diskutuar për këtë çështje sipas tyre shumë të ndjeshme.
Asamblisti Hetem Ibrahimi nga PD-ja, i cili ishte i vetmi që votoj kundër këtij projekt- propozimi tha se materialet kyçe nuk janë të përgatitura mirë, po kalohen në rrethe të ngushta dhe po servohen si të përgatitura nga lartë.
“Me plan e dimë mirë se kur planifikohet buxheti e kur rishikohet. Këto vërejtje të bëra shumë herë po hasin në vesh të shurdhët:, është shprehur ai.
Edhe Medain Hashani nga ORA ka dhënë vërejtjet e tij, duke thënë se koha e shkurtër nuk po lenë mundësi që të shikohen këto ndryshime me kujdes.
“Po ndodhë që gjatë miratimit të projekteve të kemi devijime dhe me këtë rast edhe rritje të kostos së tyre”, ka thënë Hashani.
Ndërsa Ymri Hashani nga LDD-ja ka ngritur çështjen e menaxhimit të parasë publike, që sipas tij kjo nuk po bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Në çdo projekt është rritur vlera nga ajo e planifikuar, shembull kemi projektin e kanalizimit në fshatin Slivovë ku kemi rritjen të lartë, krahasuar me atë të planifikuar, por ky nuk është i vetmi”, theksoi Hashani.
Këtë afat të shkurtër për rishikim të buxhetit të ardhur nga MEF-i e ka kundërshtuar edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Zariqi, i cili tha se për çdo vit kuvendi po vije në pozitë që më urgjencë të shqyrtoj procesin e rishikimit.
Por, Zariqi ka përkrahur ndryshimet e bëra, duke thënë se është lajm i mirë rritja e të hyrave vetanake për 400 mijë euro.
Të gjitha vërejtjeve të këshilltarëve iu kanë përgjigjur drejtorët e drejtorive përkatëse, ndërsa në fund kryetari i Ferizaj, Bajrush Xhemaili, duke e arsyetuar rritjen e të hyrave vetanake ka thënë se kjo është e mirë ngase këto mjete do të shkojnë për projekte kapitale.
“Po ju them se nuk e kemi pasur lehtë as ne. Unë do ta ngrisë zërin për këtë çështje, që kjo urgjencë të mos përsëritet më. Është e vërtetë se kjo urdhëresë është marrë me vonesë dhe na është dashur bukur angazhim që për dy ditë t’i bëjmë këto ndryshime dhe harmonizime”, është shprehur kryetari.
Ndryshe, rishikimi i buxhetit komunal është bërë konform kërkesës së MEF-it, në bazë të së cilës është kërkuar ruajtja e strukturës së kategorive ekonomike të buxhetit komunal.
Bajrush Xhemaili kryetar i Komunës së Ferizajt ka thënë se buxhetit komunal në vlerë prej 15 milionë e 300 mijë euro, me rishikim do t’i shtohen edhe 400 mijë euro dhe kjo është arritur nga pozicioni i të hyrave vetanake, ndërsa për destinacion do të kenë projektet kapitale.