Dhjetëra qytetarë drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit, shoqëri civile e grupe të ndryshme bamirësie, ndezën sonte qirinjë në hapësirën para ndërtesës së Komunës së Ferizajt në solidarizim e bashkëndarje të dhembjes me viktimat e tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri.
Drejtorët komunal, Kryesuesja e anëtarët e Kuvendit të Komunës, u përkulën nën flakët e qirinjve në nderim të jetëve të humbura dhe ngushëllim familjarëve të tyre e mbarë shoqërisë shqiptare. Ata u shprehën të pikëlluar me tragjedinë që shkaktoi ky tërmet për bashkëatdhetarët andej Drinit, por edhe njëkohshëm krenarë për aktivizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve anekënd Kosovës e veçanërisht në Ferizaj për t’i dal në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga tërmeti.
Rikujtojmë se që nga mbrëmë, Komuna e Ferizajt, ka aktivizuar gjithë mekanizmin institucional të emergjencave dhe bashkë me qindra qytetarë e grupe vullnetmira, ia dolën të grumbullojnë për më pak se 24 orë, mijëra pako ushqimore e veshmbathje që tashmë kanë arritur tek banorët e zonave të prekura nga tërmeti.