Në Ferizaj u mbajt tryeza e diskutimit me temën “Pjesëmarrja politike e grave, angazhimi qytetar dhe përfshirja në proceset zgjedhore”, e organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), në bashkëpunim me organizata lokale.
Gjatë këtij takimi u trajtuan sfidat me të cilat përballen gratë në pjesëmarrjen politike dhe në jetën publike, përfaqësimi i tyre në media dhe debate publike, mbështetja për gratë kandidate, si dhe pengesat që vazhdojnë të kufizojnë përfshirjen e grave dhe grupeve të margjinalizuara në proceset vendimmarrëse.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfaqësues të partive politike, organizata të shoqërisë civile, media dhe aktivistë, të cilët ndanë përvojat dhe qëndrimet e tyre lidhur me rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes qytetare dhe fuqizimit të rolit të grave në proceset demokratike.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua nevojës për krijimin e hapësirave më gjithëpërfshirëse, sigurimin e përfaqësimit të barabartë dhe zhvillimin e proceseve zgjedhore pa gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim.
U theksua se pjesëmarrja e grave në politikë nuk duhet të kufizohet vetëm në përfaqësimin formal, por duhet të shoqërohet me mundësi reale për ndikim në vendimmarrje dhe në jetën publike.
Tryeza synoi të kontribuojë në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet akterëve të ndryshëm, me qëllim të avancimit të pjesëmarrjes së barabartë dhe gjithëpërfshirëse në proceset politike dhe vendimmarrëse.