Të hënën, është mbajtur ceremonia e inaugurimit të strehimores “Shtëpia Ime”, e cila ofron mbrojtje, siguri dhe mbështetje për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunën në familje dhe forma të tjera të dhunës me bazë gjinore.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, drejtues të Policisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilët kanë kontribuar si donatorë në rregullimin e kësaj strehimoreje.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e strehimores “Shtëpia Ime”, Sevdije Kasumi-Bunjaku, u shpreh se, falë investimeve dhe rregullimit të hapësirave, tashmë janë krijuar kushte shumë më të mira për pritjen dhe trajtimin e rasteve të shumta të dhunës në familje.
Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për donatorët, përkatësisht përfaqësuesit e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në përmirësimin e kushteve të kësaj strehimoreje.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe Agron Dobruna, zëvendësministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare.
Ndërkaq, Albion Sherifi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, theksoi rëndësinë e veçantë që ka strehimorja “Shtëpia Ime” në ofrimin e mbrojtjes dhe përkrahjes për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunën. Ai vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në krijimin e kushteve më të mira për mbrojtjen e personave në situata të cenueshme.
Gjatë ceremonisë, edhe majori Muhamet Jahiri, nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës, shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit me strehimoren, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së viktimave të dhunës.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, i cili theksoi se Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime” në Ferizaj përfaqëson një hapësirë të rëndësishme të dedikuar për mbrojtjen, sigurinë dhe mirëqenien e grave dhe fëmijëve që përballen me dhunën.
Sipas tij, kjo qendër do të ofrojë shërbime të strehimit, mbrojtjes dhe mbështetjes për të mbijetuarat e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, duke u garantuar përkujdesje profesionale, siguri dhe përkrahje gjatë procesit të rimëkëmbjes dhe riintegrimit në shoqëri.
Në mesin e të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse u drejtua edhe Vanesa Sadriu Topojani, e cila ishte njëra ndër iniciatoret për ndarjen e parcelës për ndërtimin e strehimores “Shtëpia Ime”. Kontributi i saj në këtë nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij projekti, i cili sot shërben si një hapësirë e sigurt dhe mbështetëse për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunën.
Në fund të ceremonisë, të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësuesit e Kishës, të cilët përshëndetën këtë bashkëpunim dhe rëndësinë e mbështetjes për personat që kanë nevojë për mbrojtje.
Aktiviteti u përmbyll me një vizitë në ambientet e strehimores “Shtëpia Ime”, ku të pranishmit patën mundësi të njihen nga afër me hapësirat dhe kushtet e krijuara për ofrimin e shërbimeve për përfituesit e saj.