Në Galerinë e Arteve në Ferizaj është hapur edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës, një ngjarje që bashkon artistë dhe karikaturistë nga vende të ndryshme të botës.
Festivali organizohet nga Shoqata e Karikaturistëve “HiTHi” / Kosova Cartoon, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Ferizajt.
Ceremonia hapëse u moderua nga gazetari Afrim Demiri, ndërsa festivalin e shpalli zyrtarisht të hapur drejtori i DKRS-së, Gazmend Bytyçi, i cili mbajti edhe një fjalë rasti.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetari i shoqatës organizatore “HiTHi”, Imri Musliu, si dhe kritiku i artit, Gani Bytyçi. Fjalë rasti mbajtën gjithashtu Aziz Rudari, përfaqësues i familjes së legjendës së futbollit Fadil Vokrri, dhe karikaturisti Nevruz Musa, fitues i çmimit “HiTHi i Bronztë”.
Në këtë edicion ishte e pranishme edhe Vlora Goranci Jaha, vajza e Luljeta Gorancit, karikaturistes së parë kosovare, në nderim të së cilës ndahet një çmim në çdo edicion të festivalit. Këtë vit, çmimi në emër të saj iu nda karikaturistes nga Turqia, Sahra Makara.
Karikaturistët pjesëmarrës garuan në dy kategori, me temën “Portreti i futbollistit kosovar Fadil Vokrri” dhe në kategorinë e temës së lirë.
Fituesit në kategorinë “Portreti i futbollistit kosovar Fadil Vokrri”:
* Çmimi “HiTHi i Artë”: António Santos (Portugali)
* Çmimi “HiTHi i Argjendtë”: Daipei Cheng (Kinë)
* Çmimi “HiTHi i Bronztë”: Mario Magnatti (Itali)
Në këtë kategori u ndanë edhe pesë çmime speciale.
Fituesit në kategorinë “Temë e lirë”:
* Çmimi “HiTHi i Artë”: Mehdi Azizi (Iran)
* Çmimi “HiTHi i Argjendtë”: Hamid Ghalijari (Iran)
* Çmimi “HiTHi i Bronztë”: Nevruz Musa (Kosovë)
Në kategorinë e temës së lirë u ndanë edhe shtatë çmime speciale.
Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës në Ferizaj vazhdon të promovojë artin e karikaturës, të krijojë ura bashkëpunimi mes artistëve ndërkombëtarë dhe të afirmojë krijimtarinë artistike vendore në arenën ndërkombëtare.