Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizajt, Naim Ferati tha se gjatë këtyre ditëve bashkatdhetarët tanë do të kenë mundësi që të ndjekin aktivitete të shumta që janë përgatitur enkas për ta.
“Hapja e Ditëve të Diasporës do të fillojë më një koloni artistike me artistët nga mërgata, për të vazhduar me tej edhe me hapjen e një ekspozite në bulevardin e qyteti ku do të ketë muzikë në flaute, pastaj do të ketë aktivitete sportive nga më të ndryshme, do të ketë mbrëmje filmi, takim me klubin letrat “De Rada”, do të ketë mbrëmje muzikore me të rinjtë, shfaqja teatrale dhe shumë aktivitete të tjera”, ka thënë Ferati.
E veçanta e gjithë këtyre aktiviteteve do të jetë edhe takimi i kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me bashkatdhetarët.
“Edhe kryetari do të zhvillojë një takim me bashkatdhetarët të cilin e kemi paraparë që të mbahet me 29 korrik në orën 15;00 në sallën e Kuvendit të Komunës”, tha Ferati.
Përmbyllja e ditëve të diasporës, do të bëhet me një koncert të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” që do të mbahet me 3 gusht ne bulevardin e qytetit nga ora 20;00.
Prej 28 korrikut deri më 3 gusht do të mbahen Ditët e Diasporës në Ferizaj.