Si rrallë herë më parë në qeverisjet lokale, qytetarët po marrin pjesë në dëgjimet buxhetore të organizuara nga Komuna e Ferizajt, me qëllim hartimin dhe planifikimin e buxhetit 2020-2022. Ata të shoqëruar edhe nga kryetarët e fshatrave apo zonave urbane po prioritizojnë dhe paraqesin kërkesat ndaj pushtetit lokal, me qëllim inkoorporimin e tyre në planin buxhetor për vitet e ardhshme. I tillë ishte edhe takimi që Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorët komunal, mbajti dje në shkollën e fshatit Llojza me banorët dhe kryetarët e fshatrave Llojza, Lloshkobare, Dremjak, Kosinë, Koshare dhe Slivovë.
Banorët e këtyre zonave parashtruan kërkesat e tyre për investime në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Asfaltimi i disa rrugicave, menaxhimi i mbeturinave, uji i pijshëm, renovimi i objekteve shkollore dhe ndërtimi i terrneve sportive ishin kërkesat ndër më të theksuarat në këtë takim. Njëlloj, edhe në ndalesën e dytë, në shkollën e fshatit Talinoc i Muhaxherëve, banorët dhe kryetarët e fshatrave Talinoc i Muhaxherëve, Softaj, Sazli, Pojatë, Rahovicë, Papaz parashtruan nevojat për investime në lokalitetet prej nga vijnë. Edhe në këtë takim, ishin kryesisht kërkesa të natyrës infrastrukturore dhe mirëmbajtjes së investimeve ekzistuese.
Me përgjigjen e Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu në secilën nga kërkesat e parashtruara nga banorët dhe të drejtorëve të drejtorive komunale në fushat e tyre të punës, u tha se në mundësinë buxhetore që ka Komuna e Ferizajt do të përfshihen projektet më prioritare për komunitetin e këtyre lokaliteteve.