Temë e bisedës gjatë takimit ishte krijimi i mundësive për realizimin e projekteve madhore që kanë të bëjnë me komunën e Ferizajt, e të cilat nuk mund të realizohen, pa një bashkëpunim ndërmjet deputetëve dhe kryetarit të komunës. Gjatë takimit të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë absolute për një bashkëpunim të përhershëm.
Veç tjerash, në takim është diskutuar edhe për projektet e mëdha përfshirë spitalin, hekurudhën, ndërtimin e ngrohtores, hidrosistemin e Lepencit, trajtimin e ujërave të zeza, trajtimin e mbeturinave, për shndërrimin e Fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara në Universitet publik rajonal etj.
Deputete ferizajas në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kanë shprehur pakënaqësinë për anashkalimin e vazhdueshëm i cili po ndodh ende, mungesa e përfaqësimit nëpër borde dhe agjencione si dhe mospërfillja e përgjithshme që po i bëhet qytetit të Ferizajt në përfshirjen e projekteve kapitale në buxhetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vazhdimësi.
Ata kanë thënë se për këto shqetësime do të ngrenë zërin e tyre në Parlamentin e Kosovës. Palët janë zotuar se nëse Ferizaj vazhdon të mos jetë përfitues i projekteve të mëdha do të ketë refleksione negative për partitë që janë të përfaqësuara në Kuvend.
Këto takime mes kryetarit Svarqa dhe deputetëve te Parlamentit të Kosovës do të jenë të rregullta. Gjithashtu, palët u pajtuan që për projektet, me të cilat konkurron Ferizaj në qeveri dhe nëpër ministri, do të njoftohen deputete dhe do të kenë edhe kopjen e projekteve për lobim të mëtutjeshëm.
I pari i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka pasur sot një takim me deputetët, të cilët përfaqësojnë Ferizajn në Parlamentin e Republikës së Kosovës.