Kryesuesi i Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dr. Hesat Shatrolli, ka theksuar se këto mbeturina janë të rrezikshme dhe paraqesin forma unike të mbeturinave të ngurta dhe të lëngshme të nxjerra gjatë diagnozës, trajtimit, parandalimit apo hulumtimit të sëmundjeve të njerëzve dhe kafshëve.
“Duke ditur se çdo vit prodhohen sasi të mëdha të mbeturinave të rrezikshme nga spitalet, QKMF, klinikat, ordinancat private mjekësore dhe stomatologjike, veterinare etj, atëherë këto mbeturina të rrezikshme kur menaxhohen në mënyrë joefektive, mund të rrezikojnë cilësinë e kujdesit ndaj pacientit, paraqesin rrezik për shëndetin e personave profesional gjegjësisht për ata të cilët i gjenerojnë, përdorin, paketojnë, ruajnë, transportojnë, trajtojnë dhe asgjësojnë ato”, është shprehur Shatrolli.
Sipas anëtarëve të këtij Komitetit këto mbeturina paraqesin gjithashtu rrezik edhe për ambientin dhe shëndetin publik.
“Përmes trajtimit apo asgjësimit joadekuat që mund të kontribuojë në ndotjen e ambientit dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse si SIDA, hepatiti, tuberkulozi, difteria, kolera dhe shumë sëmundje të tjera. Përgjegjësia kryesore për menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme i takon institucioneve shëndetësore dhe komunës, për sigurimin e përputhshmërisë rregullative me shëndetin publik dhe ambientin”, ka nënvizuar Shatrolli.
Në mbledhjen e Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Ferizajt, është formuar edhe një grup punues i cili është përcaktuar përgjegjës edhe për hartimin e një plani të punës që në fund të rezultojë edhe me një plan projekt, apo dokument mbi menaxhimin e mbeturinave mjekësore të cilat janë shumë të rrezikshme.
“Ky dokument do t’i ndihmonte këto institucione në vendosjen dhe implementimin e programit të shëndoshë mbi menaxhimin efektiv të mbeturinave të rrezikshme. Një program i tillë nëse arrin të përkrahet dhe të implementohet nga nivelet e larta deri tek nivelet e poshtme, do të kontribuojë në kujdesin e përmirësuar ndaj pacientit, do të promovoj shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve, do të ndikojë në rritjen e imazhit të institucioneve gjegjëse, jo vetëm për kujdesin ndaj pacientit, por edhe për popullatën dhe ambientin”tha Shatrolli.
Në këtë mbledhje është diskutuar lidhur edhe me një kërkesë që pritet të bëhet për blerjen e aparatit të mamografisë i cili konsiderohet që të jetë edhe shumë i rëndësishëm edhe për qytetin e Ferizajt, duke parë që çdo ditë e më shumë po ka raste të shumta ku gratë po preken nga kanceri i gjirit.
Komiteti i Shëndetësisë dhe i Mirëqenies Sociale i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ka bërë identifikimin e problemit të menaxhimit jo të mirë të mbeturinave shëndetësore. Sipas tyre këto mjete janë të rrezikshme për të gjithë qytetarët.