Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar ministrin Mujota dhe ministrinë që ai drejton për të gjitha këto duke thënë se përkushtimi dhe bashkërendimi institucional mes segmenteve që sot janë këtu në Ferizaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Ferizajt, japin rezultate të tilla që janë ambicie të Komunës së Ferizajt.
"Ambicia e Komunës së Ferizajt, ashtu siç e kemi thënë është që ne tashmë të hapim perspektivën e projekteve të mëdha, strategji e projekteve të mëdha që e kemi thënë edhe në raste të tjera është ndërtimi i rrugës "Rexhep Bislimi", i qendrës së qytetit, ndërtimi i këtij segmenti rrugor Ferizaj-Nerodime që po e vizitojmë sot si dhe marrëveshja e nënshkruar sot me ministrin Mujota për ndërtimin e rrugës "Brahim Ademi" dhe "Driton Islami" që është një projekt me një vlerë aq të madhe, i pari që është investuar ndonjëherë në Ferizaj prej pas lufte" ka thënë Aliu, i cili ka falënderuar të gjithë ata që e kanë bërë të mundshme që këto projekte të jetësohen dhe të mos mbesin vetëm ambicie si dhe me ketë rast ka uruar të gjithë qytetarët e Ferizajt me rastin e përfitimit të këtyre projekteve.
Ndryshe, u bë e ditur se më këto projekte të rregullimit të rrugëve me katër shirita, në hyrje dalje të Ferizajt, ky qytet po bëhet shembull i një transformimi të vërtetë urban në tërë Kosovën.
Mujota e ka përgëzuar kryetarin Aliu, për fillimin e sezonit, duke thënë se kjo ka krijuar lehtësira të mëdha në përgatitje të projekteve.
"Është kënaqësi sot të jesh këtu për të dhënë një informatë për qytetarët e Ferizajt dhe më gjerë se ka filluar intensivisht ndërtimi i rrugës Ferizaj-Neredime nga Ura e Isamit deri tek Bashkimi Lumenjve që është një projekt regjional i një rëndësie shumë të madhe të infrastrukturës, një projekt i cili lidhë disa fshatra dhe mijëra banorë që e shfrytëzojnë për çdo ditë. Por jo vetëm kaq banorët e Ferizajt, por edhe të Republikës së Kosovës do t’i shfrytëzojnë këto bukuri natyrore të Neredimes dhe grykës së Jezercit, prandaj ne jemi sot shumë të kënaqur që punimet kanë filluar dhe do të vazhdojnë me intensitet të lartë dhe nuk do të ndalemi me kaq." ka thënë Mujota për të shtuar se investimet publike në Komunën e Ferizajt do të vazhdojnë edhe më tutje.
"Mund t’iu konfirmoi se me përkrahjen e Qeverisë dhe përkrahjen e Ministrisë së Infrastrukturës, me buxhetin që ka komuna, me buxhetin vetanak, Ferizaj në vitin 2013- 2014 bëhet një rajon i ndërtimeve të mëdha infrastrukturore’’ ka thënë Mujota.
Ky projekt i gjatësisë 7 kilometra, sipas Mujotës kalon shumën e mbi 2 milion eurove investime, që nënkupton se edhe vitin e kaluar është ndërtuar një segment rruge, nga Ferizaj deri tek" Ura e Islamit" që po vazhdon edhe më tutje.
"Projekti nuk do të ndalet tek bashkimi i dy lumenjëve, Ministria e Infrastrukturës, ka edhe një projekt tjerë shumë të rëndësishëm që lidhë Jezercin me Budakovën dhe Mushtishtin respektivisht Ferizajn me Theranden. Për më tepër, lajm të mirë për qytetarët e komunës së Ferizajt, Mujota, e ka quajtur edhe atë të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëfinancimit për një projekt tjetër shumë të rëndësishëm, projekt i cili lidh dy magjistralet Prishtinë-Ferizaj dhe Shtime-Ferizaj, e që përshkon rrugën "Driton Islami" dhe rrugën "Brahim Ademi" deri tek varrezat e dëshmorëve.
"Kjo rrugë do të kushtoi sipas parashikimeve tona afro 3 milion euro dhe do të jemi në bashkëfinancim me komunën e Ferizajt. Qeveria ka siguruar pjesën më të madhe të buxhetit por edhe komuna ka dhënë një kontribut të madh, karshi investimeve që bënë komunën e Ferizajt. Besoi se në ketë vit kemi lëvizje progresive në këtë projekt, ndërsa në vitin 2014 do të jetë projekt i mbyllur" theksoi Mujota, i cili ka folur edhe për përgatitjet që po bëhen për nisjen e autostradës Prishtinë -Shkup, e cila përshkon edhe komunën e Ferizajt.
Mësohet se gjatë këtij viti do të përmbyllen edhe projektet e asfaltimit të rrugës së fshatit Slivovë dhe Koshare, projekte këto me bashkëfinancim me Komunën e Ferizajt.
Kryetari i Komunës së Ferizajt z. Agim Aliu me bashkëpunëtorë e ka pritur sot në vizitë, Ministrin e Infrastrukturës, z. Fehmi Mujota, i shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Elmi Reçica dhe zv/ministri i kulturës, z. Hajdin Abazi, me të cilët ka inspektuar sot punimet në projektin e rregullimit të rrugës rajonale Ferizaj-Neredime, projekt ky që pritet të vazhdohet edhe në pjesën e Komunës së Therandës, si dhe ka nënshkruar marrëveshjen në mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Infrastrukturës për bashkëfinancim të rrugës ,, Brahim Ademi’’ dhe ,,Driton Islami’’ rrugë këto të cilat do të bëhen me katër shirita.