Për nder të 6 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Ferizaj, janë mbajtur një sërë manifestimesh. Shënimi i ditës së shtetësisë së Kosovës të hënën ka filluar me homazhe që janë bërë në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, me ç’rast udhëheqja e Ferizajt, veteranët e luftës dhe qytetarët janë përkulur para lapidarit të dëshmorëve dhe kanë vënë lule në varret e tyre, duke përkujtuar sakrificën sublime që bënë për lirinë e vendit, e cila i parapriu aktit të shpalljes së mëvetësisë.
Më pas, në Teatrin e Qytetit "Adriana" është mbajtur akademi solemne, nën patronazhin e kreut komunal të Ferizajt,Muharem Svarqa, në të cilën është folur për rrugëtimin e gjatë të gjeneratave të tëra për arritjen e kësaj dite të lartësuar.
"Prandaj sot, ne i nderojmë të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, për lirinë e qytetarëve të saj, për lirinë e gjithë shqiptarëve ku, vargut të bijve e bijave më të shtrenjta të këtij populli nuk ju ndan as qytetarët e komunës sonë, ndaj të cilëve përherë do jemi mirënjohës, nderues, falënderues dhe zotues të denjë, në bazë të angazhimeve tona dhe mandateve që kemi, për të punuar e ndihmuar në ngritjen e mëtejme të shtetit, të zhvillimit të tij, duke nisur që nga këtu, nga baza nga komuna e deri te maja që sot zbukurohet me emblemën e shtetit.
Ishim dhe pjesë e pandashme e proceseve të viteve tetëdhjeta e nëntëdhjeta të shekullit që iku si dhe e luftës që ndodhi, të luftës që lindi këtë 17 Shkurt me krismat e Adem Jasharëve e thyerjen e kufijve me strategët si Sali Çekët e Agim Ramadanët dhe për këtë mburremi, jo që kemi dhënë tepër por, që sot, si pjesë e atyre sakrificave, mund të japim dhe më shumë. Sepse, si thotë ky popull i urtë e trim, i durueshëm e kurrë nënshtrues, largmpamës e, asnjëherë i ndalur, shteti bëhet tek e fundit me gjithë këto sakrifica, por, ai nuk mund të mbahet edhe pa një mal sakrificash e përpjekjesh për të qenë sa më i qëndrueshëm, ma tërheqës dhe i dashur për të gjithë", ka thënë kryetari Svarqa.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Muharem Svarqa, gjatë fjalës së tij po ashtu ka thënë se shenja demokrtike janë edhe proceset demokratike që i lamë pas.
"Unë besoj, se përkundër dallimeve në ecje, përkundër mospajtimeve që shfaqen herë pas here për të arritur sa më shpejt tek qëllimet tona, ne jemi në rrugë të mbarë për ta bërë më të mirën e mundshme për këtë vend. E, këtu, pikërisht këtu, për këtë komunë. Shenja të mira janë edhe proceset demokratike të fundivit që lamë pas, ndryshimet që solli vota qytetare, ndërgjegjësimi dhe vetëdija e lartë qytetare e intelektuale e spektrit tonë politik e jopolitik për ta pranuar votën dhe zgjedhjen e qytetarit.
Kjo le për të besuar se, jemi në rrugë të mbarë të konsolidimit të demokracisë, në rrugë të mbarë të forcimit të besimit te qytetarët për shtet ligjor, për shtet të zhvilluar dhe të hapur ndaj të gjithëve, në respektimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë.
Për këtë, edhe na obligojnë ata që sot ju biejmë në gjunjë, jo për t’u përulur para tyre, sepse nuk e dëshirojnë përuljen tonë. Po, për t’i nderuar me thellësinë e zemrës duke ju thënë me plot zë: atë që e deshët për këtë vend, për të cilin dhatë dhe gjënë më të shtrenjtën, jetën, ne do ta shpijmë sa më lartë që mundemi, për t’ ju bërë dritë juve dhe në thellësitë më të errëta të kësaj toke. Prandaj, të dashur të pranishëm Kjo ditë dhe kjo festë, si gjithkund në vendet demokratike, edhe këtu, na tubon , na afron dhe na kthjellon për t’u bashkuar sa më shumë dhe për të dhënë sa më shumë për atë që sot quhet Republika e Kosovës", ka përfudnuar kryetari i komunës Muharem Svarqa.
Të pranishmit në këtë akademi solemne i ka përshendetur edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Milazim Haliti, i cili ka bërë një elaborumrreth 17 shkurtit- Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Pjesëmarrësve me një fjalë rasti u është drejtuar edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, mësuesi Gafurr Bytyçi.
"Vendimi që u mor para gjashtë viteve, ishte kulmim i të gjitha përpjekjeve, sakrificave mijëravjeçare për liri, falë të cilave ne sot jemi të liri dhe jetojmë me dinjitet" ka thënë Bytyçi.
Akademia solemne është shoqëruar me pjesën artistike. Kori i qytetit të Ferizajt nën dirigjimin e Lindita Isufit, interpretuar disa këngë korale tematike.
Pavarësia e Kosovës, kurorëzim i sakrificave të mëdha të kombit