Lum qytetarësh, përfaqësues e drejtues të institucioneve lokale, veteranë e familjarë të dëshmorëve, invalidëve të luftës, të prirë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, Gafurr Bytyçi, Rafiz Sejdiu – kryetar i OVL UÇK-së në Ferizaj, u mblodhën sot tek kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj, për të bërë homazhe në nderim të jetës, sakrificës dhe veprës së dëshmorëve, sot më 28 Shtator kur Ferizaj shënon Ditën e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Komunën e Ferizajt, përkatësisht 22 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Jezercit.
Me lule, përkujtim, përulje pranë varreve të dëshmorëve, ferizajasit nderuan heronjtë e luftës tonë çlirimtare.
Në vijim të agjendës për shënimin e kësaj dite, kreu i Komunës dhe qindra qytetarë vizituan edhe pikën 6 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc, pikë kjo ku ranë dëshmorë, luftëtarët e lirisë Sali Baliu dhe Arsim Zeqiri. Kjo pikë e luftës, në kuadër të projektit të Parkut Memorial të UÇK-së në Ferizaj – projekt ky unik në gjithë vendin, ka arritur të rikonstruktoj, ndërtoj dhe shënjoj, pozicionet e luftës, istikamet, bunkerët dhe shtigjet nga ku 22 vite më parë luftuan, bijtë e bijat më të dashura të kombit.
Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se kjo ditë, është një emocion i veçantë, që secilin na bënë të vogël karshi sakrificës, veprave e heroizmit të luftëtarëve të lirisë dhe Dëshmorëve të Kombit.
“Sot është një emocion i veçantë, për faktin se jemi në vendin ku 22 vite më parë luftoi me gjoks, me një makineri vrastare, paramilitare serbe, e cila numerikisht, ushtarakisht dhe me të gjitha kapacitetet ushtarake ishte larg më e fuqishme se kapacitetet dhe numra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por pavarësisht kësaj ishte pikërisht ky gjoks i trimave, heronjve, i luftëtarëve të UÇK-së që i bëri ballë dhe pikërisht 22 vite më parë e pastaj edhe në betejat e radhës, dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre për të vënë gurthemelin e lirisë e më vonë edhe të shtetsisë së Republikës së Kosovës. Sigurisht se secili nga qytetarët sot, e ndjen vogëlsinë e tij, para veprës madhore të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në mënyrë të veçantë, Dëshmorëve të Kombit. Ne kemi bërë një projekt që është unik në gjithë Republikën e Kosovës, jo për të thënë atë që është thënë vazhdueshëm, më shumë se çdo episod i luftës dhe i betejave që kanë zhvilluar bashkëluftëtarët tanë por mbi të gjitha është një trashëgimi për gjeneratat që vijnë” tha mes tjerash Kryetari Aliu i cili uroi ferizajasit në Ditën e Dëshmorëve.
Luan Jahiri nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj tha se si organizatë janë krenarë për respektimin e vlerave të luftës dhe përjetësimin e tyre përmes monumenteve përkujtimore, projekteve siç është Parku Memorial në Jezerc.
“Jemi sot këtu si Organizatë e Veteranëve të Luftës për të përfaqësuar atë që kemi krenari. Është ajo që pas 22 viteve po shenjëzojmë një vend, një monument që është pjesë e Parkut Memorial të UÇK-së në Jezerc. Falënderojmë Kryetarin por edhe deputetët për gjithë angazhimin që është bërë që ky projekt të realizohet. Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës jemi krenarë që respektohen meritat që i kemi andaj edhe njëherë faleminderit të gjithë dhe urime Dita e Dëshmorëve të Komunës sonë” tha përfaqësusi i OVL-UÇK-së në Ferizaj, Luan Jahiri.
Gjithashtu, për këtë ditë u organizua edhe maratona e vrapimit ku pjesëmarrësit, veteranë e ushtarë të FSK-së, u nderuan me mirënjohje.