Edhe këtë vit Komuna e Ferizajt ka punuar në rregullimin e infrastrukturës së objekteve shëndetësore. Krerët komunalë si dhe ata të shëndetësisë në Ferizaj kanë vizituar punktet shëndetësore në fshatin Neredime dhe në Dardani , për të vazhduar më pas edhe në Qendrën Numër 2 të Mjekësisë Familjare në Ferizaj për të parë nga afër renovimet e bëra në to nga qeveria lokale. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili me këtë rast ka thënë se ky është një investim i veçantë të cilin e bën komuna për të ngritur kualitetin e shërbimeve mjekësore për qytetarët. "Kemi bërë një investim të veçantë edhe këtë vit dhe gjatë viteve tjera në vazhdimësi kemi investuar dhe do të investojmë që të përmirësohen kushtet e punës, si për punëtorët që punojnë këtu, por edhe për pacientët i cili tani do ta ketë një shërbim shumë më cilësorë se sa më parë", ka thënë Xhemaili.
Bashkim Hyseni, drejtor i drejtorisë për Shëndetësi, ka thënë se me këto renovim janë rritur hapësirat si dhe mundësitë për punë, duke e ditur se këto objekte kanë qenë mjaft të dëmtuara. "Kjo ishte vizitë përmbyllëse për këtë vit, për investimet kapitale të vitit 2010, duke e përjashtuar edhe finalizimin e qendrës së 4 të mjekësisë familjare. Kushtet në qendrën e e dytë, ishin shumë të vështira, qoftë për personelin qoftë edhe për pacientët, por tani mundësitë janë rritur shumë dhe kjo qendër është bërë një objekt jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka një rëndësi mjaft të madhe edhe për faktin që është i vendosur në një zonë shumë të frekuentuar nga banorët", ka thënë Hyseni, duke shtuar se edhe të gjitha punktet në Komunën e Ferizajt tashmë janë funksionale, por do të përpiqen që të investojnë më shumë edhe në pajisje për diagnoza, që pacientët e fshatrave të mos kenë nevojë të udhëtojnë në Ferizaj, por të gjitha shërbimet t;i kryejnë në punktet nëpër fshatra.
Ndërsa, Dr.Afrim Abazi drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka thënë se në qendrën numër 2 të mjekësisë familjare tanimë përveç hapësirave të reja, ka edhe shërbime mjekësore të cilat i posedon vetëm kjo qendër. "Tani janë krijuar kushte shumë më të mira nëpër këto punkte, por vlen të përmendet qendra e 2 e mjekësisë familjare, në të cilët është bërë një renovim i tërësishëm, në të cilët janë krijuar edhe hapësira të reja të punës. Mendoj që tani për tani kjo është njëra ndër qendrat më të kompletuara në mjekësisë familjare", ka thënë Abazi, duke shtuar se në këtë qendër përveç mjekëve familjarë, tani këtu do të jenë edhe internistët, oftamologu, psikologu dhe zyra e diabetit.
U bë e ditur se në qytetin e Ferizajt ka 4 qendra të mjekësisë familjare, përderisa në fshatrat e kësaj komune janë 13 punkte shëndetësore. Mësohet se Komuna e Ferizajt në investime kapitale në shëndetësi për këtë vit ka investuar mbi 200 mijë euro.
Komuna e Ferizajt, në investimet kapitale në shëndetësi për këtë vit ka investuar mbi 200 mijë euro, dhe kjo sipas kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili është bërë për që të përmirësohen kushtet e punës, si për punëtorët që punojnë, por edhe për pacientët i cili tani do ta ketë një shërbim shumë më cilësorë se sa më parë