Organizata e vullnetarëve gjermane, në bashkëpunim me Karitasin e Kosovës, së fundi ka ndihmuar mjekësinë familjare të Ferizajt me shtretër për pacientë, por nuk kanë munguar edhe ndihmat ushqimore për banorët e varfër të kësaj komune.
Megjithatë, fokusi i takimit të sotëm të kryetarit Sfarqa me vullnetarët e organizatës gjermane, të shoqëruar edhe nga kreu i Karitasit të Kosovës, don Viktor Sopi dhe bashkëpunëtorët e tij, ishe tek mundësia e hapjes së një kuzhine në Ferizaj, ku do të mund të ushqeheshin falas njerëzit në nevojë.
“Ne do të angazhohemi për krijimin e infrastrukturës, përfshirë gjetjen e objektit ku do të hapej kuzhina, ndërsa vullnetarët gjermanë do të angazhohen rreth furnizimit të kuzhinës me ushqime. Gëzohem që gjeta gatishmërinë e tyre për këtë projekt shumë të rëndësishëm humanitar, i cili do të ishte në dobi të njerëzve në nevojë, e mbase dhe të nxënësve e studentëve”, tha me këtë rast kryetari Svarqa.
Udhëheqësi i organizatës gjermane “Junge leute helfen”, Martin Gebhart, u shpreh i bindur se me bashkimin e forcave ndërmjet vullnetarëve, Karitasit dhe Komunës së Ferizajt, mund të bëhen vepra të mira në të mirë të popullatës. Ai premtoi se kuzhina për të varfëritë në Ferizaj do të mbështetet aq sa do të ketë mundësi.
Ndërsa udhëheqës të Karitasit të Kosovës theksuan se ideja e kryetarit Sfarqa rreth kuzhinës për të varfëritë është marrë seriozisht dhe se pritet të hartohet projekti i hollësishëm për të, e pastaj të fillojë realizimi.
Karitasi shprehu gatishmërinë e plotë për t’u angazhuar për jetësimin e kësaj ideje, duke marrë parasysh numrin jo të vogël të personave në nevojë në Komunën e Ferizajt.
Vullnetarë nga organizata humanitare gjermane “Junge leute helfen”, u pritën sot nga Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, për të biseduar rreth shtrirjes së bashkëpunimit të mëtejmë.