Në seancën e parë të Kuvendit Komunal të Ferizaj, për këtë vit, u miratuan që të dy propozimet për shpalljen e interesit të përgjithshëm për ndarje të ngastrave kadastrale. Por, e veçanta e kësaj seance ishte se, që nga ky muaj, këto seanca, të plota do të transmetohet në njërin nga televizionet lokale. Agim Aliu, kryesues i Kuvendit Komunal të Ferizajt, ka thënë se janë duke e zbatuar kështu një vendim të më hershëm të kuvendit të komunës i cili është marrur në vitin e kaluar, në lidhje me transmetimin e plotë të këtyre seancave. “Më vie mirë, që pikërisht seancën e parë e kemi filluar me transmetim të plotë në televizion. Besoj që ky transmetim do të vazhdon, në mënyrë që qytetarët e Komunës së Ferizajt të kenë mundësinë që të shohin debatet që bëhen në kuvend”, ka thënë Aliu, duke bërë të ditur se me këtë mënyrë, qytetarët do të shohin edhe se si sillen vendimet në interes të tyre dhe në të njëjtën kohë të shohin anëtarët e kuvendit, gjegjësisht të zgjedhurit e tyre se sa ata e ngrisin çështjet për të cilën janë votuar nga qytetarët e Komunës së Ferizajt.
Aliu ka thënë se mendon që pushteti lokal, asnjëherë nuk e ka prezantuar në masën e duhur punën e vet. “Dihet se ne kemi realizuar projekte jashtëzakonisht të shumta, si në aspektin cilësor e po sikur ka munguar prezenca jonë në media me bartjen e këtyre projekteve në debate, në transmetime apo edhe në intervista të ndryshme në mjetet e komunikimit publik që janë në Komunën e Ferizajt”, ka thënë Aliu, duke shtuar se transmetimi që do të behet tani, tregon dhe ofron një mundësi më shumë edhe për kuvendin e komunës që të tregon gjithë këto suksese që ka shënuar që nga viti 2007, por edhe tani gjatë këtij viti, në implementimin e projekteve të cilat janë miratuar në kuadër të buxhetit për vitin 2011. “Komuna e Ferizajt, nuk ka vrapuar në prerjen e shiritave në rastet e inaugurimeve të investimeve të ndryshme kapitale dhe mendoj që ndoshta tani është mundësia që përmes transmetimit, praktikisht qytetarët do të dëgjojnë jo vetëm për projektet që i prekin drejt për së drejti ata, por edhe për projektet të cilat janë bërë edhe në pjesë të ndryshme të qytetit, për të cilat ndoshta qytetarët padrejtësisht nuk janë informuar për ndonjë projekt të caktuar”, ka thënë Aliu.
Seancat e Kuvendit Komunal të Ferizajt, që nga ky muaj do të transmetohen edhe në një televizion lokal . Sipas zyrtarëve komunal, kjo është bërë për të qenë sa më transparent ndaj qytetarëve.