Rreth 2 mijë e 500 maturantë ferizajas, këtë të shtunë kanë hyrë në pjesën e parë të testit të maturës. Maturantët ferizajas i ka përgëzuar dhe uruar për suksese edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu me bashkëpuntorë të tjerë.
Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Agim Berisha, testi ka filluar me kohë dhe nuk ka pasur asnjë problem.
“Unë konsideroj se sot është një ditë e veçantë për të gjithë maturantët e Komunës së Ferizajt. Unë mendoj se ky test është më i mirë i mundshëm për rrethanat tona. Të gjithë administratorët kanë arritur me kohë dhe me kohë ka filluar edhe pjesa e parë e testit të maturës”, ka thënë Berisha.
Testi i maturës shtetrore në Komunën e Ferizajt, është duke u mbajtur në gjithësej 13 qendra dhe është duke u mbikëqyrur nga 208 administratorë, ndërkaq secila qendër ka nga tre komisionerë.
Pjesa e dytë e testit të maturës do të mbahet më 15 qershor, ndërsa rezultatet do të publikohen më 24 qershor. Sipas zyrtarëve komunal të arsimit, nxënësi mund ta kalojë provimin e maturës nëse i fiton 100 pikë nga dy pjesët e testit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Agim Berishën, nga afër kanë parë ecurinë e zhvillimit të testit të maturës shtetrore.