Kuvendi komunal, në seancën e djeshme, me shumicë votash ka konfirmuar për zëvendës kryesues të parlamentit lokal, Rexhep Bajramin, që vjen nga minoriteti ashkali, megjithëse një vendim të tillë e kanë kundërshtuar dhjetë këshilltarët e LDK-së, të cilët edhe kanë votuar kundër, me arsyetim se ky vendim ndonëse paraqet shkelje ligjore dhe – sipas tyre – po bëhet për interesa partiake të partisë në pushtet, PDK-së. Kryesuesi i KK, Agim Aliu, ka thënë se “zgjedhja e zëvendësit të tij nga radhët e komuniteteve, është obligim i paraparë me nenin 52 pikë 2 të Ligjit mbi qeverisjen lokale në Kosovë.
“Nuk na duhen kapriciet, sepse ligji e parasheh qartë: zëvendëskryesuesi nga radhët e minoriteteve zgjidhet ai që ka grumbulluar numrin më të madh të votave”, ka thënë Agim Aliu. Faruk Guri, si shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka shtruar pyetjen nëse vallë, ky vendim paraqet obligim ligjor, pse ky post vakant nuk është plotësuar para një viti, kur është bërë konstituimi i parlamentit lokal, por ka pritur një vjet për zbatim, me bindje se ky post u dedikohet komunave që kanë mbi 10 për qind të popullatës minoritare.
Sipas Gurit, Ligji për qeverisje lokale në Kosovë nuk ka ndërruar për as një pikë të vetme. Për konfirmimin e Rexhep Bajramit zëvendës kryesues i KK të Ferizajt, është zhvilluar një votim formal, i të gjitha grupeve parlamentare: PDK, LDD, AKR, AAK dhe PDAK, me përjashtim të votës kundër të LDK-së.
Kuvendi komunal, në seancën e djeshme, me shumicë votash ka konfirmuar për zëvendës kryesues të parlamentit lokal, Rexhep Bajramin, që vjen nga minoriteti ashkali, megjithëse një vendim të tillë e kanë kundërshtuar dhjetë këshilltarët e LDK-së.