
Megjithatë, me shumicë votash, u miratua shfuqizimi i vendimit të 29.8.2014 për formimin e komisionit për ndarjen e banesave, i cili ngjalli shumë diskutime “për” dhe “kundër”. Derisa pozita e kërkonte shfuqizimin, për shkak se rregullorja, sipas së cilës ishte marrë vendimi, nuk ishte në pajtim me ligjin dhe udhëzimin administrativ që e rregullon këtë fushë, opozita ngulte këmbë se duhet ndryshuar rregullorja së pari, e pastaj komisioni shfuqizohet vetvetiu. Gjatë votimit të kësaj pike, shumica e opozitarëve e braktisën mbledhjen.
Debate të shumta ngjalli edhe vendimi për dhënien e ngastrës 3619-0 për ngritjen e objektit për klasifikimin e mbeturinave. Me shumicë votash, kjo pikë u shty për një mbledhje tjetër.
Ndërkohë debati më i gjatë gjatë dy ditëve të mbajtjes së mbledhjes së fundit të KK-së u bë rreth dhënies me qira për dy vjet të një hapësire prej 400 metrash katrorë të qendrës numër 1 të mjekësisë familiare, për hapjen e një spitali të syve. Derisa pozita e arsyetonte qiranë me nevojat e mëdha që ka popullata e Ferizajt për shërbime specialistike të syve, opozita vazhdimisht thoshte se këtë punë duhet ta vendosë ekzekutivi dhe se nuk mund t’ jepet në shfrytëzim prona publike për nevoja të përfitimeve private. Megjithatë, me shumicë votash, kuvendi vendosi që të jepet me qira prona e QMF-së.
Kuvendi vendosi që t’ia japë pëlqimin që të procedohet më tej kërkesa e një qytetari në Doganaj për të ndërtuar shtëpi në pronën e vet.
Po ashtu u miratua me shumicë votash edhe vendimi që të jepen me qira lokalet afariste që janë pronë e Komunës dhe vendimi që të jepet në shfrytëzim për 99 vjet prona komunale në Babushin e Ri. Dje ishte miratuar edhe kërkesa e një qytetari për shndërrimin e tokës bujqësore në tokë ndërtimore në Babush.
Kuvendi Komunal i Ferizajt, e vazhdoi sot mbledhjen e ndërprerë dje, kur partitë opozitare e braktisën votimin e pikës për shfuqizimin e vendimit të kuvendit të një viti më parë për komisionin e banesave, duke shkaktuar mungesë kuorumi.