
Kryetari i Ferizajt e konsideron të drejtë legjitime të çdo individi a grupi për të shfaqur publikisht pakënaqësinë e vet ndaj ngjarjeve e fenomeneve shoqërore, përfshirë protestën ndaj deklaratave të pamatura të politikanëve, e sidomos për t’u identifikuar me fatin e kombinatit “Trepça”. Por, si institucionalist, kërkon më shumë besim tek institucionet shtetërore, siç janë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Kryetari Svarqa konsideron se mbyllja në zgafellë e minatorëve, si para 25 viteve, me gjithë të drejtën e tyre të pakufizuar për të zgjedhur formën e protestës, nuk është e qëlluar, meqë as koha, as situata, nuk kanë ngjashmëri me vitin 1989. Nëse atëherë, përmes ngujimit, tentohej të mbrohej synimi politik për ruajtjen e autonomisë së Kosovës, sot një veprim i tillë mund t’i sjellë vetëm komplikime shtesë zgjidhjes së statusit të Trepçës.
Kryetari i Ferizajt është posaçërisht i shqetësuar me ndërlidhjen e disa forcave politike opozitare me protestat e kohëve të fundit dhe me thirrjet që ato të jenë sa më masive. Duket qartë synimi i këtyre forcave që ta shfrytëzojnë çdo vështirësi, madje çdo fatkeqësi të qytetarëve apo shtresave të shoqërisë sonë, për të përfituar pikë politike, duke u paraqitur gjoja si kujdestar i mbrojtjes së interesave të tyre. Të përfitosh politikisht nga problemet, vështirësitë dhe nga fatkeqësia e të tjerëve, siç po bëjnë disa forca politike, paraqet kapital të pamoralshëm e të paskrupullt.
Kryetari Svarqa është i vetëdijshëm për vështirësitë dhe problemet nëpër të cilat po kalon Kosova dhe populli i saj. Por i beson fuqimisht se e ardhmja më e mirë e vendit dhe e qytetarëve të Kosovës nuk do të ndërtohet përmes përmbysjeve revolucionare, të cilat ende qëndrojnë si opsione në kokën e ndonjë politikani, as përmes pushtetit të rrugës, të kaosit e të anarkisë.
Kryetari i Ferizajt bën thirrje që t’i jepet kohë konsolidimit të pushtetit, stabilizimit të qeverisjes dhe që qytetarët dhe politikanët ta orientojnë energjinë e tyre drejt zgjidhjes së problemeve e vështirësive në mënyrë të qytetëruar, me anë të dialogu, debateve dhe forcës së argumenteve. Ai i bën thirrje partnerit të koalicionit, PDK-së, që të shtojë energjitë vepruese dhe të bashkëpunojë më ngusht, në të mirë të forcimit të institucioneve dhe zgjidhjes më energjike të problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi.
Zgjidhja e problemeve përmes trysnisë së rrugës, jo vetëm që nuk çon kah zgjidhjet e drejta, por na zhyt në kaos e anarki, na kthen prapa aq sa na duhen vite për të ardhur në gjendjen ku jemi sot, si dhe shkon në të mirë të atyre që bëjnë skenare për destabilizimin e vendit tonë. Kryetari i Ferizajt beson se askush nuk e dëshiron një rrjedhë të tillë të ngjarjeve.
Kryetari i Komunës së Ferizajt
Muharrem Svarqa
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, po ndjek me shqetësim zhvillimet aktuale politike e shoqërore në Kosovë, trendet e të cilave mund të çojnë kah destabilizimi i vendit, zhytja në anarki e kaos. Greva e minatorëve të Trepçës, grevat e arsimtarëve, protestat e studentëve, protestat gati të përditshme të qytetarëve, tashmë po tregojnë shenja të hyrjes në një stinë trazirash, të cilat mund ta dëmtojnë rëndë vendin tonë dhe ta kthejnë shumë prapa zhvillimin edhe ashtu të ngadalshëm të tij.