Kjo orë historie ju kushtua njërit ndër atdhetarët më të sinqertë,më të devotshëm dhe më të përvuajtur ferizajas të pas Luftës së Dytë Botërore Abdullah Musliut, njeriut që për shumëçka është paraqitur si i veçantë në mjedisin tonë që tërë jetën e tij të gjatë rrezatoi atdhetarizëm në rrethin e Ferizajt e më gjerë. Kjo orë historie për këtë atdhetar shembullor, është organizuar në kuadër të javës së kulturës,e cila është organizuar nga Drejtoria për Kulturë,Rini dhe Sport e Komunës sonë.
Në hapjen e këtij aktiviteti, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka shprehur fjalë miradije për këtë organizim, i cili shumë rrallë ka pasur organizime të këtij lloji që hedhin dritë mbi personalitetin e Abdullah Musliut, një bashkëvendës yni, të cilin fatkeqësisht brezi ynë nuk e njeh as përafërsisht sa mendohet se e meriton.
“Mund të jetë krejt rastësi që sot në Ferizaj, në kuadër të “Ditëve të Kulturës”, do të ketë një workshop për trashëgiminë kulturore, në të cilin është planifikuar të flitet për çiftelinë. Ndërsa ne jemi mbledhur këtë paradite në një orë historie. Janë dy ngjarje, të cilat për mua kanë simbolikat dhe domethëniet e tyre: njëra që flet për ngulitjen dhe pasurimin e kujtesës historike përmes ndriçimit të një figure të rëndësishme të këtij mjedisi, përmes kumtesave, e studimeve të shkruara, dhe, tjetra, që merret me traditën muzikore dhe bartjen e historisë brez pas brezi në mënyrë gojore, përmes folklorit. Populli ynë i ka bartur nëpër breza vlerat e tij pozitive përmes krijimtarisë gojore, nga se, për shkaqe të ditura, deri vonë, nuk e ka kultivuar shkrimin, ose e ka kultivuar në masë tepër të kufizuar. Pa e anashkaluar vlerën e madhe e të pashterrshme që ka krijimtaria jonë gojore, dëshiroj të them se brezi ynë duhet të jetë i lumtur që jeton në shekullin e komunikimit, në shekullin e përhapjes marramendëse të teknologjisë, e cila mundëson formësimin, kristalizimin dhe kultivimin e kujtesës kolektive shumë më lehtë dhe më suksesshëm se dikur. Por, kjo kohë shtron përpara nesh edhe pikëpyetjen, nëse jemi apo jo, në nivelin e detyrës për të hulumtuar, ndriçuar e valorizuar vlerat tona kombëtare, shkencore e shoqërore, në përputhje me mundësitë që ofron koha jonë”, ka thënë kryetari Svarqa.
Njëri ndër bashkëkohanikët, bashkëvuajtësit dhe bashkëmendimtarët e Abdullah Musliut ishte edhe Rexhep Bunjaku, ish i burgosur dhe i dënuar politik me pushkatim, por falë fatit mbeti gjallë, kurse Abdullah Musliun siç thotë ai e pati “mësues të atdhetarisë”. Në këtë ditë ai ka evokuar edhe kujtime për të ndjerin Abdullah Musliun.
Ndërkaq doajeni i gazetarisë ferizajase Rexhep Rifati, ka folur për takimet e shpeshta që kishte me Abdullah Musliun. Ai ka vlerësuar tejet lartë këtë figure të rajonit të Ferizajt dhe me gjerë.
Edhe sociologu ferizajas Enver Zhinipotoku në librin e tij “Portrete të anatemuarish” në mesin e shumë atdhetarëve kryesisht nga treva e Ferizajt vend të veçantë i ka dhënë portretizimit të kësaj figure atdhetare me një plasticitet të veçantë. Ai këtë të hënë [përmes një kumtesë ka shfaqur edhe të dhënat të shumta të cilat i ka paraqitur edhe në librin e tij.
Në këtë ore historie ka folur edhe Ramadan Haziri, një atdhetar i spikatur ferizajas nga vitet e 60 të shekullit XX e këndej, ishte ai që e ka njohur mirë dhe ka pasur takime të shumta me këtë atdhetar. Ndoshta ideja për të shënuar këtë orë historie për këtë atdhetar që i dha vulë misionit të atdhedashurisë pas LDB, është inicuar nga z. Haziri, në bashkëbisedim me drejtorin e urbanizmit Faik Graincën. Ramadan Haziri ka shkruar edhe një dramë për krajatat jetësore të Abdullah Musliut të titulluar “Atentatorët”, premierën e së cilës do ta shohim sonte në orën 20:00.
Të pranishmit në emër të familjes i ka përshendetur Hajdin Ymeri.
Në kuadër të javës së Kulturës Ferizaj 2014, këtë të hënë në tetarin e qytetit “Adriana”, është mbajtur orë historie në nderim të jetës dhe veprës së atdhetarit Abdullah Musliut.