Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili ka pritur në një takim, drejtorin e OSBE-së për rajonin e Gjilanit, Ulrich Biffar, koordinatorin e ekipit të OSBE-së për Komunën e Ferizajt Nicohlas Stansfield, si dhe stafin e tyre në krye me Sehadete Tërnava-Osmani si dhe Skendër Sedollin.
Në këtë takim të gjatë janë diskutuar çështje të shumta, por ajo më kryesorja ishte protesta e ditëve të fundit e banorëve të fshatit Nerodime që bënë për mos lejimin e banorëve serb në këtë fshat që të vizitojnë pronat e tyre. “Unë jam i brengosur për atë që ka ndodhur. Secili qytetarë duhet të lëvizë lirshëm kush ku do dhe në çdo vend të Republikës së Kosovës e në veçanti në komunën e Ferizajt”, ka thënë kryetari Xhemaili, duke thënë se pavarësisht gjithë kësaj në qytetin e Ferizajt, është një klimë e mirë sa i përket çështjes së sigurisë. “Secili qytetar ka të drejt të protestojë është i lirë, por jo të pengojë të tjerët. Unë u bëjë thirrje qytetarëve që të gjitha faktet të cilat i posedojnë për krimet e bëra nga ana e serbëve ato t’i deponojnë në gjykata dhe prokurori dhe ata vendosin që të ipet dënimi i merituar”, është shprehur Xhemaili.
Numri një i Qeverisë lokale të Ferizajt, Bajrush Xhemaili, me këtë rast u ka bërë thirrje qytetarëve që të lejojnë banorët serb që të vizitojnë pronat e tyre ku do që i kanë ata.
Në takimin me drejtuesit e OSBE-së është diskutuar edhe më një incident i cili është shkaktuar pas takimit që është zhvilluar në komunën e Ferizajt, me përfaqësuesit serb të fshatit Nerodime, ku një fëmijë i mitur ka hedhur edhe gurë para objektit të Komunës për këta serb. “Ana tjetër ka qenë që pas takimit serbët kur kanë dal para objektit të Komunës, dikush i ka gjuajtur me gurë dhe kjo është e dënueshme pavarësisht prej cilës palë vjen dhe kur vjen, çdo dhunë , çdo përpjekje është e dënueshme, për shkak se e kemi policinë që mund të merret me këto çështje”, ka përfunduar kryetari Xhemaili.
Në fund të këtij takimi u tha se bashkëpunimi me misionin e OSBE-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Janë diskutuar çështje të shumta në mesin e tyre edhe çështja e sigurisë