Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Drews ka qëndruar sot në Ferizaj ,me ç’rast ka realizuar një takim me kreun e komunës së Ferizajt,Bajrush Xhemailin. Veç situatës së sigurisë në komunën e Ferizajt me mundësinë e reflektimit nga veriu,gjenerali Drews dhe Xhemaili kanë diskutuar edhe çështje të tjera që janë në interes të qytetarëve.Në përgjithësi siguria në këtë komunë është konsideruar mjaft e mirë.”Vlerësuam të dyja palët se situate e sigurisë në Komunën tonë është stabile dhe e qetë. Unë po ashtu komandantin e njoftova nga afër edhe me qytetin e Ferizajt, për numrin e banorëve që komuna jonë është e tretë në Kosovë për nga numri i popullësisë”, ka thënë Xhemaili.
Ndërkaq,i pari i KFOR-it gjenerali Erhard Drews, ka thënë se ngjarjet në veri nuk do ta ndalojnë KFOR-in që të jetë i përkushtuar edhe në komuna të tjera të Kosovës."Situata në veri nuk do të na ndalojë që të përkushtohemi edhe në komuna të tjera,që kemi detyrime të tjera si dhe të shohim se si po punojnë ekipet tona ndërlidhëse.Unë konstatoj që situata e sigurisë në këtë komunë është e mirë.Mendoj që veriu nuk duhet të ketë ndikim në komunat e tjera.", tha Drews.
Komandanti i KFOR-it gjenerali Drews është pyetur edhe për gjendjen në veri të Kosovës.
"Është fakt që kemi probleme me lëvizjen e lirë në veri,dhe është një problem që shpresoj të zgjidhet me dialog dhe në mënyrë paqësore,KFOR-i ka mision që të sigurojë lëvizje të lirë në formë paqësore,qëndrimi im mbetet që siguria të mos arrihet me forcë ,përderisa në veri ekziston gatishmëria për vendosje të barrikadave të reja", është shprehur komandanti i KFOR-it Erhard Drews.
Komandanti i KFOR-it gjenerali Erhard Drews nuk ka dhënë ndonjë afat që përcakton largimin e barrikadave në veri të Kosovës. Ndryshe,gjenerali Drews me zyrtarë të komunës së Ferizaj duke bërë një ecje nëpër qytetin e Ferizajt ka vizituar edhe disa autoritete të këtushme për të parë nga afër zhvillimet në këtë komunë.
Situata e sigurisë vlerësohet e qetë.