
Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, qindra dhe mijëra ferizajas e kosovarë, po e sfidonin seriozisht gjithë shoqërinë, duke e braktisur vendin, të joshur nga premtimet dhe synimet për një jetesë më të mirë. Njerëzit po shisnin gjithçka kishin, për të provuar fatin e refugjatit në vendet evropiane. Në këtë mendësi euforike, u përfshinë shumë familje. Për fat të keq, pati edhe viktima. Vala e mërgimit u qetësua atëherë kur shteti dhe shoqëria jonë u mobilizua për t’u treguar bashkëqytetarëve tanë se largimi ilegal nga vendi, nuk ishte zgjidhja e duhur dhe kur u prenë disa nga kanalet mafioze që mashtronin bashkëvendësit tanë.
Kjo nuk ishte sfida as e vetme, as më e madhja e këtij viti. Zhvillimet politike në shkallë vendi, nuk qenë aspak inkurajuese dhe as mobilizuese për angazhimet drejt një stabiliteti politik e ekonomik edhe nëpër komuna.
Megjithëkëtë, pushteti lokal i Ferizajt, i ka përmbushur në shkallë të kënaqshme synimet dhe planet vjetore, duke investuar disa milionë euro për ndërtimin dhe funksionalizimin e rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, shkollave, çerdheve e ambulancave. Janë ndihmuar bujqit me subvencione për mjete pune, studentët me bursa, të pastrehët me shtëpi të reja, skamnorët me ndihma, për aq sa kanë lejuar mundësitë buxhetore.
Viti në të cilin po hyjmë, do të jetë vazhdimësi e investimeve për infrastrukturë më të mirë dhe për kushte më të përshtatshme jetese. Ne tashmë kemi përpara planet e punës për vitin 2016, për të realizuar një sërë projektesh që do ta përmirësojnë qarkullimin e qytetarëve, higjienën publike, cilësinë e shkollës, cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe cilësinë e jetesës në përgjithësi.
Unë besoj tek e ardhmja më e mirë me përpjekje të përbashkëta, me përkushtim të lartë për zhvillimin dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë. Unë besoj tek mundësitë që e nesërmja të jetë shumë më e mirë se e sotmja, nëse nuk e pengojmë njëri-tjetrin, por i bashkojmë forcat, dijen, energjinë pozitive dhe synimet e qarta. Unë besoj se viti 2016 do të jetë më i mirë se ky vit që e kaluam, sepse ka plot tregues që na bindin për këtë.
Prandaj, uroj që të kemi shëndet të mirë, besim të fortë për të ardhmën, vullnet për punë dhe përkushtim për të realizuar synimet tona. Gëzuar vitin 2016!