Temë e pashmangshme ishte themelimi i Universitetit të Shkencave Teknike të Aplikuar në Ferizaj, për të cilin edhe Kuvendi i Kosovës e dha miratimin e tij para një jave.
Kryetari Svarqa i ofroi Ministrit Bajrami bashkëpunim dhe angazhimin e të gjitha mundësive të komunës së Ferizajt për të lehtësuar fillimin dhe mbarëvajtjes së universitetit publik, duke premtuar përpjekje për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të Ferizajt dhe Universitetit të Shkencave Teknike të Aplikuara, gjë që do të siguronte aspektin e punës praktike gjatë studimeve.
Në takim u diskutuan edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin më të mirë të shkollave të komunës së Ferizajt. Ministri Bajrami premtoi angazhimin e ministrisë së tij për pajisjen e shkollës së re ekonomike me inventar, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’i pritur nxënësit më 1 shtator të këtij viti, si dhe pajisjen e disa shkollave të tjera me orendi dhe mjete shkollore.
Kryetari i Ferizajt dhe Ministri i Arsimit u dakorduan që të jenë në kontakte të vazhdueshme, për të bashkëbiseduar rreth krijimit të kushteve sa më të mira për mbarëvajtjen e punës dhe të mësimit në institucionet arsimore të komunës së Ferizajt.
Kryetari Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, i shoqëruar nga drejtori komunal i arsimit, Muhamet Halili, u prit sot në Ministrinë e Arsimit nga Ministri Arsim Bajrami, për të bashkëbiseduar rreth çështjeve aktuale në arsimin e Ferizajt.