Kryetari Svarqa takohet me mësimdhënësit gjerman të cilët po qëndrojnë në qytetin e Ferizajt
09/10/2015 00:00
Një takim me këta mësimdhënës dhe shefin e arsimit të Dortmundit, e ka zhvilluar edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Ai ka falënderuar zyrtarët e lartë të arsimit në këto qytete të Gjermanisë, duke theksuar se vizita të tilla janë shumë të rëndësishme për qytetin tonë, në mënyrë që të shkëmbehen përvoja të shumta ne mes profesorëve, nxënësve, por edhe zyrtareve të lartë të arsimit.
Nga ana tjetër zyrtari i lartë i arsimit nga Dormundit Bernd Bruns, ka falënderuar kryetarin e Ferizajt, Muharrem Svarqa, për mikpritjen e bërë duke thënë se vizita të tilla do shkëmbehen edhe me nxënësit ferizajas.
Me këtë rast kryetari Svarqa, zyrtarin e lartë të arsimit Dormundit Bernd Bruns, i ka dhuruar një gravurë të qytetit të Ferizajt, ndërkaq udhëheqësit të tyre mësimdhënësit Kemajl Callaku, e ka nderuar me gravurën e Nënës Terezës, ndërsa drejtoreshës së shkollës i dhuroi stemën e qytetit të Ferizajt.
U bë e ditur se ekskursioni i këtyre nxënësve ka karakter njohës-mësimor dhe zhvillohet brenda një standardi profesional tashmë të njohur dhe mjaft të afirmuar. Ky projekt është vazhdimësi apo plotësim i mëtejshëm i një koncepti të ekskursionit tipik dinamik, i promovuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës në edicionin e katërt të seminarit “Mesuesit e Diasporës Struga 2008”.
Nikoqirë të pritjes së mësimdhënëseve dhe nxënësve, në Ferizaj, është shkolla “Jeronim de Rada” në krye me drejtoreshën Servete Hajrullahu. Në kuadër të kësaj pritje janë paraparë edhe aktivitete nga më të ndryshmet që do të zhvillohen sot gjatë ditës.
30 nxënës shqiptarë dhe gjermanë të klasave të shtata dhe të dhjeta, mësues e prindër shqiptarë të shkollës shqipe të mësimit plotësues të qyteteve Arnsberg, Sundern e Dortmund të Gjermanisë, të udhëhequr nga mësuesi i tyre Kemajl Callaku dhe të shoqëruar nga drejtorët e këtyre shkollave referente gjermane së bashku me zyrtarin e lartë të arsimit të Dormundit Bernd Bruns, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare edhe në qytetin e Ferizajt.