Gjatë këtij takimi dy kryetarët shprehën mendimin për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy qyteteve, përmes binjakëzimit.
“Bashkëpunimi me komunën e Ferizajt nuk do të jetë thjesht një marrëveshje për t’u mbajtur në letër, por një shkëmbim konkret përvojash”, është shprehur kryetari i Elbasanit Qazim Sejdiu.
Të dyja palët gjatë këtij takimi janë shprehur se përveç fushës kulturore, ku bashkëpunimi ka nisur tashmë, me rëndësi është bashkëpunimi ekonomik dhe ai administrativ. Ata u shprehën se Elbasani dhe Ferizaj kanë mundësi konkrete bashkëpunimi dhe një gjë e tillë është diskutuar me detaje mes dy kryetarëve.
Svarqa vlerësoi lart mikpritjen elbasanase, në vizitën e tij të dytë zyrtare në këtë qytet.
“Elbasani është i njohur në të gjithë Kosovën për traditat e tij të lashta kulturore dhe arsimore. Unë jam i mendimit që të organizohen ekskursione edhe nga ana juaj që të vizitoni qytete të ndryshme të Kosovës, ashtu sic po bëjme edhe ne si Ferizaj, ku maturantët e shkollave të Ferizajt, po vizitojnë vendet e juaja, pse mos të bëni edhe ju një gjë të tillë”, u shpreh Svarqa.
Bashkëpunimi mes dy institucioneve të pushtetit vendor ka nisur tashmë me shfaqjen e vënë në skenë në teatrin “Skampa”. “Departamenti AP” i cili vjen si një bashkëpunim i shkëlqyer mes teatrit të Elbasanit dhe atij të Ferizajt, në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “ Skampa 2014”.
Gjatë qëndrimit të tij në Elbasan, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa i shoqëruar nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Enver Haliti dhe bashkëpunëtorë të tjerë është pritur nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.