
“Ferizaj dhe Elbasani kohë të gjatë kanë një lidhje të përbashkëta. Përveç se një nga mësuesit e parë në qytetin e Ferizajt ishte nga Elbasani, edhe fillimet e para të artit dramatik në Ferizaj i bëri një elbasanas, Hasan Dylberi, i cili bëri pjesë teatrore rreth viteve 1923. Prandaj, po me artin dramatik Ferizaj dhe Elbasani sot po fillojnë një bashkëpunim, të cilin pretendojmë ta shtrijmë jo vetëm në profilin e kulturës por edhe në atë ekonomik, edukativ etj.”, wshtw shprehur kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa nw hapjen e këtij festivali, duke vlerësuar tejet lart kwtw bashkëpunim.
“Ne tashmë kemi filluar të shohim të gjitha mënyrat e bashkëpunimit që mund t’i kemi me Shqipërinë, kështu që edhe ky bashkëpunim është vetëm një prej tyre, e që shënon një fillim të mbarë. Pra, ky është një fillim i mirë që të kemi projekte të përbashkëta, sidomos në kulturë”, tha kryetari Muharrem Svarqa.
Në anën tjetër, edhe homologu i tij nga Elbasani shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim serioz dhe të dobishëm për qytetarët e të dy qyteteve, duke theksuar se edhe më parë janë ndërmarrë nisma të tilla por që janë shuar me kalimin e kohës.
“Bashkëpunimi me komunën e Ferizajt nuk do të jetë thjesht një marrëveshje për t’u mbajtur në letër, por një shkëmbim konkret përvojash në dobi të qytetarëve të të dy qyteteve”, tha kryetari i Elbasanit, Qazim Sejdini.
Kryetari Svarqa theksoi edhe ndarjen proporcionale që kanë bërë dy komunat në realizimin e shfaqjes “Departamenti AP”, ku shfaqja e shkruar nga një regjisor i rajonit të Ferizajt, Jeton Neziraj vihet në skenë nga një regjisor elbasanas, Adonis Filipi, ndërkaq interpretohet nga dy aktorë ferizajas: Dardana Mehmeti dhe Shpëtim Selmani, dhe dy aktorë elbasanas: Rina Narazani dhe Rezart Barjoti.
Për mikpritjen shqiptare të kreut të Elbasanit, për gjithë ekipin e Ferizajt që qëndroi në Elbasan kryetari i Ferizajt shprehu falënderim të veçantë, duke e ftuar kryetarin Sejdini për një vizitë tjetër në qytetin e Ferizajt, ku edhe do të konkretizohen fushat e bashkëpunimit mes dy qyteteve.
“Elbasani është i njohur në të gjithë Kosovën për traditat e tij të lashta kulturore dhe arsimore”, u shpreh Svarqa.
Gjatë vizitës në Elbasan, bashkë me kryetarin Svarqa kanë udhëtuar edhe një pjesë e gazetarëve lokalë, të cilët kanë përcjellë nga afër shfaqjen dhe bisedën në takimin me kryetarin e Elbasanit, ku ndër të tjera edhe u propozuan një varg çështjesh të mundshme për bashkëpunim mes dy qyteteve.
Në Elbasan, ka filluar Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor. Hapjen e këtij festivali e bëri shfaqja premierë e përgatitur bashkërisht, mes teatrit të Elbasanit “Skampa” dhe të Ferizajt “Adriana Abdullahu”.