Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, dëshiron të sqarojë publikun se konsideron që reagimi i organizatës joqeveritare Iniciativa për Progres, lidhur me përgjigjen e Komunës ndaj kërkesave të kësaj organizate, është i paqëndrueshëm dhe i pambështetur mirë. Kryetari Svarqa konsideron se OJQ INPO ka bërë interpretim të njëanshëm të Kushtetutës e të ligjeve, prandaj shpreh përkushtimin që të japë përgjigje të mbështetura në akte normative, e jo për të kënaqur kërkesat e pambështetura të cilësdo palë.
Kryetari Svarqa rithekson interpretimin e Zyrës ligjore të Komunës së Ferizajt se kërkesa e INPO-s për të pasur qasje në listën e punëtorëve të administratës komunale dhe në listën e punëtorëve të arsimit, nuk është miratuar, duke u mbështetur në Rregulloren për dosjet dhe regjistrin qendror të nëpunësve civil, e cila i jep të drejtë qasjeje në këto të dhëna vetëm auditorit të brendshëm, auditorit të jashtëm, komisionit disiplinor, komisionit për ankesa, të punësuarit për dosjen e vet dhe zyrtarit të personelit. (Shih nenin 5 dhe 6 të kësaj rregulloreje)
Ndërsa, duke rikonfirmuar përkushtimin për transparencë në punën e administratës komunale në përputhje me rregulloret dhe ligjet në fuqi, të cilat nuk e ndalojnë shprehimisht, kryetari i Ferizajt merr përsipër rishqyrtimin e përgjigjes për mosmiratimin e kërkesës së OJQ INPO dhe të interesuarve të tjerë, për të pasur qasje në procedurat e rekrutimit të nëpunësve civil dhe nëpunësve publik.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, konsideron se OJQ INPO është ngutur me reagimin e saj, duke organizuar performancë publike, pa e shfrytëzuar të drejtën e ankesës ndaj përgjigjes së Komunës ndaj kërkesave të saj. Kryetari Svarqa konsideron se kjo shfaqje u bë për efekte të shout mediatik, më shumë se për të arritur qëllimin.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, mirëpret qëndrimet dhe zërat kritikë e të mbështetur të organizatave joqeveritare, medieve dhe qytetarëve, sepse është i vetëdijshëm se përmes tyre jepet mundësia e ndërtimit të një qeverisjeje më të mirë e më demokratike.
Svarqa:OJQ INPO ka bërë interpretim të njëanshëm të Kushtetutës e të ligjeve, prandaj shpreh përkushtimin që të japë përgjigje të mbështetura në akte normative, e jo për të kënaqur kërkesat e pambështetura të cilësdo palë.