Ai me këtë rast është njohur me rrjedhën e rregullimit të rrjetit të kanalizimit në fshatin Slivovë, me punimet për fazën e parë të rregullimit të “Parkut të Lirisë”, ndërtimin e rrugës “Fatmir Kërrçeli”, ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Muhoc dhe punimet për ndërtimin e nënkalimit afër Xhamisë së Madhe.
“Punimet po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Na gëzon pa masë kjo ecuri e punëve që po bëhet në këto projekte. Sigurisht se edhe qytetarët do ta kenë një vit, i cili do të jetë shumë më i mirë për ta”, ka thënë Xhemaili pas inspektimeve të bëra.
Për më tepër kryetari Xhemajli ka thënë se Ferizaj ka pasur ngecje në projektet e kanalizimit dhe se këto projekte do t’u shërbejnë më së shumti qytetarëve. Ai i ka vlerësuar edhe projektet tjera siç janë nënkalimet në vijën hekurudhore që e përshkon qytetin, “Parku i Lirisë” dhe projekte tjera që i kanë munguar prej vitesh Ferizajt.
Qytetarët e Komunës së Ferizajt, projektet që po realizohen, i vlerësojnë si shumë të rëndësishme. Ilaz Ramadani, përfaqësues i fshatit Slivovë, ka thënë se janë shumë të kënaqur, pasi që në fshatin e tyre kanë filluar punimet për ndërtimin e kanalizimit, duke zgjidhur njërin prej problemeve më rëndues të komunitetet që kishte me ujërat e zeza.
“Projektin e ujësjellësit e kemi përfunduar më herët, tash edhe kanalizimin, ndërsa në të ardhmen mendojmë që ta asfaltojmë edhe rrugët në fshat”, ka thënë Ramadani.
Sipas zyrtarëve komunal, vlera e investimeve në infrastrukturë për projektet në përgjithësi në Komunën e Ferizajt, që kanë hyrë si prioritete për këtë vit arrin rreth 6 milionë euro.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili,pase kthimit nga pushimet verore, ka inspektuar sot punimet në disa projekte që janë duke u realizuar në disa zona të komunës se Ferizajt.