Në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka vizituar Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf, ku është pritur nga Konsulli i Përgjithshëm, z. Behar Isma, i shoqëruar nga zëvendëskonsulli, z. Valdrin Ukshini.
Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit institucional, krijimin e lidhjeve të reja me organizata e biznese të mërgatës sonë, si dhe për iniciativa të përbashkëta që sjellin përfitime të ndërsjella.
Vëmendje e veçantë iu kushtua agjendës për binjakëzimin e Komunës së Ferizajt me qytetin e Bielefeldit të Gjermanisë, si një nismë e përbashkët ndërmjet dy institucioneve, në të cilën kontribut të veçantë po jep edhe znj. Lorentina Regjepi nga organizata “Green Connection”.
Kjo vizitë është pjesë e një serie takimesh me institucione, organizata dhe biznese të mërgatës shqiptare në Gjermani, me synim forcimin e lidhjeve, rrjetëzimin dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.