Me këtë rast Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se kjo është vizitë institucionale që po ju bëhet Qendrës së Kompetencës për fillimin e procesit mësimor në këtë objekt të ri dhe njëkohësisht për të uruar edhe drejtorinë e shkollës, por edhe stafin punues për këtë objekt më standarde evropiane.
“Falënderojmë Qeverinë e Kosovës, por një ashtu edhe Qeverinë e Luksemburgut që kanë bërë të mundur që ne të jemi këtu, në një objekt jashtëzakonisht të veçantë siç është kjo e Qendër së Kompetencës me standarde evropiane dhe është e njëjtë me qasjen që ne kemi si Komunë e Ferizajt, gjithçka që ne ndërtojmë është me standarde evropiane”, ka thënë Kryetari Aliu, duke theksuar faktin se kjo qendër është e veçantë jo vetëm për Ferizajn, por është e veçantë për gjithë regjionin.
“Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur për këtë, por ne do të punojmë edhe më shumë që gjithnjë e më tepër te kemi shkolla të tilla me standarde të tilla në komunë e Ferizajt”, ka thënë Aliu.
Ndërkaq Zv.ministri i Arsimit Nehat Mustafa, ka thënë se të gjitha obligimet që i ka marr Komuna e Ferizajt deri më sot i ka realizuar me sukses dhe asnjëherë deri më sot në realizimi të këtij projekti nuk ka pasur as vërejtjen më të vogël, as nga Qeveria e Luksmeburgut, por edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Po shpresojmë që këtë model të cilin e kemi në Ferizaj, do ta përkrahim shumë shpejt edhe në qendrat tjera të Republikës së Kosovës me profile të ndryshme. E them për arsye se ky projekt në Ferizaj doli me sukses dhe ne në Qeverinë e Kosovës, mund të kërkojmë nga donatorë të ndryshëm që të ketë investime të tilla edhe në qendrat e tjera të Kosovës”, tha Mustafa.
Ndërkaq Drejtori i Qendrës së Kompetencës, Bashkim Hyseni, ka thënë se sot nxënësit e kësaj shkolle janë futur në objektin e tyre të ri, ku tashmë ata kanë filluar edhe procesin mësimor vetëm në teori, ndërkaq pjesën praktike pritet ta bëjnë së shpejti.
Ndërtimi i Qendrës së Kompetencës ka kushtuar mbi 4 milion euro. Tash për tash mësimin në këtë shkolle po e vijojnë rreth 200 nxënës.
Këtë të hënë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu së bashku me Zv.ministrin e Arsimit, Nehat Mustafën si dhe më bashkëpunëtorë të tjerë ka vizituar nga afër Qendrën e Kompetencës.