Të nderuar bashkëqytetarë të komunës së Ferizajt. Jemi në prag të një feste të madhe kombëtare, të përvjetorit jubilar, të njëqindtë të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Kjo datë, të cilën parapëlqejmë ta quajmë “Festa e Flamurit” çdo vit zgjon emocione të përziera për të gjithë shqiptarët, sidomos për ne kosovarët që edhe gati një shekull, mbetëm jashtë trungut tonë, mbetëm “me një shtet amë, por nën okupim të sllavëve”. Sidomos këto reflektime, më shumë se kurrë, bëhen më aktuale këtë vit kur mbyllet një shekull rrugëtimi, “të ndarë në shumë kufij, por rrugëtim drejt një qëllimi”.
Data 28 Nëntor, gjithsesi është datë e madhe, është datë kur ne kemi nevojë më shumë se kurrë për dashuri, për mirësi, për bashkim. Prandaj kjo është edhe porosia ime drejtuar juve, bashkëqytetarë të mi shumë të nderuar. Uroj nga zemra që të gjeni mënyrën më të mirë për të festuar Ditën e Flamurit, ditën e shtetit njëshekullor, që është kohë shumë e shkurtër në krahasim me vjetërsinë tonë si komb vendas në trojet tona. Tani pas njëqind vjet pavarësie, po festojmë në dy shtete shqiptare, me shumë sfida edhe për të ardhmen, me shumë plagë të pashëruara, por jam shumë optimist dhe i bindur se e kemi zgjedhur rrugën e drejtë, se po bëhemi për çdo ditë më të fortë, më të organizuar, më të zhvilluar dhe integrimi ynë si shtete dhe si komb në përgjithësi do të ndodhë në përputhje me synimet tona.
Komuna jonë këto ditë feste ka bërë përgatitjet e duhura për shënimin e saj, janë zhvilluar e po zhvillohen shumë aktivitete të ndryshme kulturore, takime me personalitete e njerëz të shquar të komunës sonë e më gjerë, qofshin të pavarura apo nën mbikëqyrjen tonë. Atmosferë festive po ndihet kudo, në komunën tonë më të prosperuar, më të sigurt, më të organizuar e më të pasur se kurrë më parë. Për të pasur një komunë të tillë mirënjohja u shkon së pari dëshmorëve të kombit, veteranëve e invalidëve të UÇK-së dhe të gjithë gjeneratave që kontribuan e u sakrifikuan për liri, për pavarësi për bashkim. Mirënjohjen time e kam për nder tua shfaq edhe të gjithë qytetarëve që po punojnë për të mirën e përgjithshme të komunës sonë, qofshin mjekë e infermierë, punonjës arsimorë, shërbyes civilë, biznesmenë e punëtorë krahu falë punës dhe djersës së tyre bëhemi zot të vetes.
Prandaj, në emër të gjithë atyre brezave që kontribuan aq shumë për liri, në emër të gjithë atyre që u ngritën në altarin e pavdekësisë duke u flijuar për liri, në emër gjeneratës së re dhe të tanishme të cilën e pret shumë punë e përkushtim për ta bërë vendin ashtu si e ëndërruan shumë breza patriotësh e dijetarësh shqiptarë, uroj që këto ditë feste të kaloni sa më mirë të jetë e mundur, të prirë nga ndjenja e kënaqësisë së fitoreve, respektit për veten dhe të tjerët, shpresës dhe optimizmit për një të ardhme edhe më të mirë.
Ne mesazhin e kryetarit Aliu thuhet se data e 28 Nëntorit, gjithsesi është datë e madhe, është datë kur ne kemi nevojë më shumë se kurrë për dashuri, për mirësi, për bashkim.