Kryetari i Komunës së Ferizajt,Agim Aliu me bashkëpunëtorë këtë të premte i është bashkuar fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila është zhvilluar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
I pari i Komunës së Ferizajt, aksionin e ka filluar nga hekurudha e qytetit të Ferizajt, për të vazhduar në gjithë qytetin dhe është ndalur tek zona afër spitalit të Ferizajt, zonë kjo e cila ka qenë me mbeturina të shumta, ndërsa fale Komunës së Ferizajt, është bërë një ambient i gjelbëruar.
“Ne duhet të kujdesimi çdo ditë për ambientin, sepse është ambienti në të cilin ne jetojmë dhe ky ambient në të cilin jetojmë, duhet të jetë i pastër. Përveç kësaj angazhimet tona janë që ambientet të cilat janë me mbeturina t’i shndërrojmë në ambiente të gjelbëruara dhe parqe. Pikërisht ky vend këtu ka qenë një ambient jo i mirë, jo i pashëm për këtë pjesë të qytetit, por ne si Komunë e Ferizajt e kemi pastruar në fakt e kemi shndërruar në një hapësirë jashtëzakonisht të mirë”, ka thënë Kryetari Aliu.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se hapat permanent janë që të krijohen sa më shumë ambiente të pastërta.
“Edhe ish tregu i kafshëve ka qenë një hapësirë me mbeturina dhe po ashtu edhe atë hapësirë e kemi rregulluar dhe do ta bëjmë hapësirë të gjelbëruar deri sa të gjenden fondet për ndërtimin e spitalit të Ferizajt. Qëllimi jonë është që hapësirat e ndryshme t’i bëjmë hapësira të gjelbërta dhe të ketë sa më pak mbeturina”, ka nënvizuar Aliu.
Gjatë këtij aksioni Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë së bashku për të mirëmbajtur një ambient të mirë, për shkak se qyteti është i të gjithëve dhe duhet të jetë i pastërt.
Në aksionin e sotëm “Ta pastrojmë Kosovën” mori pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, Drejtorët e Drejtorive Komunale, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të Policisë së Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it amerikan si dhe nxënës të shkollave të mesme të Komunës së Ferizajt. Fushata “Ta pastrojmë Kosovën”është iniciuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.