Tashmë të gjithë zërat e arsyeshëm në Kosovë dhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë që janë të ndërlidhur më ngusht me Kosovën, po e vlerësojnë të papranueshme rrugën që ka zgjedhur opozita kosovare për faktorizimin e saj. Shkaktimi i dhunës në çfarëdo përmasash, nuk i bën mirë askujt. Shkaktimi dhe mbajtja gjallë e krizës së funksionimit të institucioneve shtetërore e publike, nuk e favorizon as luftën opozitare, sepse edhe opozita, në përputhje me fuqinë politike që i kanë dhënë zgjedhësit, është përgjegjëse për zhvillimin e vendit. Por, nuk ajo nuk është përgjegjëse për veprimet e Qeverisë, sepse askush nuk ia ka dhënë mandatin për të vendosur për fatet e vendit. Kosova i ka institucionet legale që flasin dhe vendosin në emër të saj, ndërsa të tjerët po ashtu mund të ndikojnë në vendimmarrje, sipas fuqisë që ua ka dhënë populli. Por, Kosova nuk mund të mbetet peng i synimeve për t’u faktorizuar, ose për të ardhur në pushtet përmes dhunës, arrogancës dhe pushtetit të rrugës. Vendi ynë i shumëvuajtur, ka nevojë për dashuri, punë, përkushtim e vetëmohim për ta ndërtuar atë, duke ofruar alternativa më të mira në çdo situatë dhe jo për t’i luftuar me dhunë alternativat e pushtetit.
Prandaj, partitë opozitare, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, janë para një momenti kur duhet të vendosin nëse do të përqafojnë ndërtimin e vendit tonë me rrugë demokratike, ose të shkatërrimit të tij përmes dhunës. Nuk besoj se do shumë mend se cilën rrugë duhet zgjedhur.
Muharrem Svarqa
Acarimi i mospajtimeve, kundërthënieve, përplasjeve, e deri edhe i përleshjeve fizike ndërmjet atyre që përfaqësojnë grupime politike në vendin tonë, kanë arritur përmasa shqetësuese. Individë me bagazh të pasur politik, për fat të keq, e kanë humbur arsyen dhe nuk po zgjedhin mjete për t’u faktorizuar, qoftë duke përdorur edhe dhunën. Madje po tregojnë shkathtësi të rrallë në përzgjedhjen e mjeteve dhe demonstrimin e aftësive për të luajtur rolin e kapove arrogantë, për të bllokuar me çdo kusht funksionimin e institucioneve, për ta thelluar krizën në vend deri në shkallën e shpërthimit masiv të dhunës, gjoja në emër të interesave kombëtare.