Procesi i hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore(KAB) për periudhën 2026-2028 ka vazhduar sot me mbajtjen e konsultimit të tij nga ana e kryesuesit të Kuvendit të Komunës Xhavit Zariqi, bashkë me anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa.
Takimi është zhvilluar në sallën e Kuvendit të Komunës, ku qytetarë e pranishëm patën rastin që të paraqesin edhe kërkesat e tyre.
Në hapjen e këtij konsultimi publik kryesuesi Xhavit Zariqi ka thënë se Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028, për vitin 2026 është planifikuar një buxhet total prej 53,068,494.00 euro, nga të cilat 13,230,000.00 euro janë të dedikuara për investime kapitale, ndërsa rreth 2,500,000.00 euro për subvencione dhe transfere.
Qytetarët e pranishëm në këtë takim, por edhe anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa kanë paraqitur kërkesat e tyre nga më të ndryshme. Kërkesat që më së shumti dominuan në këtë takim ishin asfaltim i rrugicave, rregullim i rrugëve të arave, ndërtim të objekteve të reja shkollore, si dhe shumë kërkesa të tjera.
Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026-2028 pritet të miratohet në fund të muajit qershor nga anëtarët e Kuvendit.