
Sipas Ilazit, nga kjo shumë 82% e mjeteve janë alokuar,ndërsa nga këto mjete të alokuara, të shpenzuara janë 61% e mjeteve."Për 19 projekte është iniciuar procedura e prokurimit për vitin 2015, 14 projekte janë përfunduar, 14 projekte janë duke u zhvilluar. Mjete të alokume në buxhetin e vitit 2015 janë 4 milion e 745 mijë, të shpenzuara 2 milion e 900 mijë euro, apo 61% e buxhetit të vitit 2015", ka thënë Ilazi. Bëhet e ditur se përveç këtyre punëve që konsiderohen si të përditshme.
Drejtoria për Infrastrukturë, ka qenë e përfshirë edhe në punë tjera siç është përgatitja e buxhetit për vitin 2016 dhe disa punë tjera shtesë, ndërsa zyrtarët kanë përmendur edhe disa prej projekteve më të mëdha kapitale.
"Projektet me vlerë më të madhe janë : ndërtimi i kolektorit kryesor në Nikadin, asfaltimi i rrugës "Gjergj Fishta", rrugës "Enver Topalli", asfaltimi i rrugës në Dardani, asfaltimi i rrugës "Agim Ramadani", i rrugës Zaskok -Doganaj. Përveç këtyre projekteve, kemi edhe projektet me donatorë siç është rregullimi i ujësjellësit në Greme ku po punohet në vendosjen e rezervarit dhe jemi duke bërë përgatitjet për projektin e ujësjellësit për fshatin Bibaj dhe Fshatin e Vjetër", ka thënë Ilazi.
Duke folur për sfidat në realizimin e projekteve kapitale, drejtori Ilazi, ka përmendur procesin e shpronësimit të pronave i cili nganjëherë po ndikon në dinamikën e projekteve."Ne kemi këso probleme sidomos të pronave dhe shpronësimit të tyre, faktikisht mungesë së mjeteve por edhe mospajtimeve të palëve me vlerësimin e pronave të tyre", ka thënë Ilazi.
Drejtoria për Infrastrukturë në Ferizaj ka prezantuar të martën të arriturat në fushën e infrastrukturës brenda periudhës nëntë mujore të këtij viti.