Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, këtë të shtunë ka mbajtur debatin e tij me qytetarë për të shpalosur punën e tij gjashtë mujore.
Pavarësisht pjesëmarrjes së vogël, kryetari Svarqa, theksoi me këtë rast se po vazhdon praktika jo e mirë e komunikimit me qytetarët. Ai u ka thënë të pranishmëve se dialogimi me qytetarët është obligim ligjor dhe se vetëm kështu pushteti do të njoftohet me nevojat e qytetarëve.
"Debatet janë obligim, kjo praktikë duhet të ndërpritet, çdo ditë para zyrave tona presin qytetarët, ndërsa kjo e tregon të kundërtën. Realisht kam pritur më shumë pjesëmarrës" ka thënë Svarqa.
Ai më pastaj ka raportuar për ecurinë e punës gjashtë mujore të ekzekutivit, duke u ndalur tek të arriturat, të cilat sipas tij janë të dukshme.
"Gjatë kësaj periudhe kemi shënuar rritje të të hyrave vetanake, ndërsa kemi ulur dukshëm shpenzimet. Të hyrat nga tatimi në pronë kanë shënuar rritje në masën 54%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Është një efikasitet falë punës së stafit. Kemi reduktuar edhe shpenzimet sidomos të reprezentacionit, derivateve dhe telefonisë" ka thënë Svarqa, për të shtuar se po punohet me intensitet të shtuar në jetësimin e planit të tij qeverisës.
I pari i komunës, Muharrem Svarqa, ka folur edhe për borgjet duke thënë se komuna ka bërë riprogramimin e tyre me qëllim që të krijimit të lehtësirave për shlyerjen e tyre. Ai ka raportuar veç e veç për punën e secilës drejtori, duke përmendur investimet në sektorin e bujqësisë, pastaj punët në sektorin e pronës, gjeodezisë dhe kadastrit, në urbanizëm, shëndetësi, arsim, shërbime publike, zhvillim ekonomik, kulturë, rini dhe sport.
Qytetarët kanë adresuar problemet me të cilat përballën. Rregullimi i rrugëve,kanalizimet, ujësjellësit, mirëmbajtja e hapësirave publike etj, kanë qenë në fokus të interesimit të tyre. Ndaj të gjitha këtyre çështjeve të ngritura, kryetari Svarqa dhe kabineti i tij kanë thënë se objektiv i pushtetit mbetet përmirësimi i kushteve të jetesës për banorët e Ferizajt.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, këtë të shtunë ka mbajtur debatin e tij me qytetarë për të shpalosur punën e tij gjashtë mujore.