Fillimisht, kryetari i OEAK-së, Arian Zeka, ka thënë se ky është takimi i tretë gjatë këtij viti që po organizohet me bizneset e komunave të Kosovës. Me këtë rast, ai ka thënë se në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes një rol të rëndësishëm mund ta luajnë edhe komunat."Gjithmonë faji ju vihet institucioneve qendrore, ato kanë rol primar ngase shumica e ligjeve natyrisht implementohen nga ministritë e ndryshme. Në përmirësimin e kushteve tuaja, si bartës të zhvillimit ekonomik të vendit, një rol shumë të rëndësishëm e kanë edhe kryetarët dhe natyrisht e tërë administrata komunale" theksoi Zeka.
Sipas drejtuesit të OEAK-së, rajoni i Ferizajt ka një potencial të fuqishëm të bizneseve, andaj përmirësimi i ambientit do të ndikoj edhe në përfitimet që do të ketë komuna dhe qytetarët e saj. Ai, ka vënë theksin edhe në atë, se komuna e Ferizajt e para ka bërë heqjen e taksës së biznesit, duke u bërë model për komunat tjera, ndërsa ka thënë se edhe kryetari aktual i Ferizajt, pasi ka një përvojë në këtë drejtim do të punoj ngushtë për të përmirësuar ambientin biznesor.
Në cilësinë e nikoqirit, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, është të ndalur tek roli i pushtetit vendor karshi bizneseve, duke vënë në dukje faktin se bashkëpunimi i ngushtë me bizneset, përbën një levë të rëndësishme zhvillimore, në kuptimin e ofrimit të lehtësive dhe shërbimeve, që do të mundësonin përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes. Sipas Svarqës, komuna e Ferizajt shumë shpejtë do ta aprovoj Strategjinë Komunale të Zhvillimit Ekonomik që tashme është e gatshme, ndërsa po punon që bizneseve krahas sigurimit të hapësirave për rritje të kapaciteteve, t’u sjellë edhe lehtësira në procedurat administrative. Madje ai ka përmendur edhe kontributin e komunës në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
"Me zhvillimin e politikave transparente të qeverisjes dhe me vendosjen e sundimit të ligjshmërisë në bazën e qeverisjes lokale, komuna do të japë kontributin e saj në përmirësimin e ambientit biznesor. Cilësia e shërbimeve publike dhe administrata funksionale, është një synim tjetër, në të mirë të të gjithë qytetarëve, veçmas të atyre që bëjnë biznes. Thjeshtësimi i procedurave për regjistrimin dhe për komunikimin e administratës me bizneset paraqet një aspekt të angazhimit tonë, për të cilin bëhen përpjekje në vazhdimësi" ka thënë Svarqa, për të shtuar se "luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, në radhë të parë është detyrë e agjencive të sigurisë, por edhe pushteti lokal mund të bëjë punë të çmueshme në këtë aspekt. Mbikëqyrja e funksionimit të administratës në përputhje me ligjin, pengimi dhe ndëshkimi i shkeljeve ligjore ose i keqpërdorimeve të mundshme, paraqet një angazhim të vazhdueshëm të udhëheqjes komunale të Ferizajt. Qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve, janë dëshmitarë dhe vlerësuesit më të mirë të këtij aspekti".
Në këtë takim i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka kërkuar që në rajonin e Ferizajt hapët një zonë doganore. Ai këtë kërkesë e ka arsyetuar me faktin se Ferizaj ka resurse të bollshme materiale e humane për ta gëzuar këtë privilegj."Para Ferizajt asnjë qytet i Kosovës nuk mund të shpallet zonë doganore, ne kemi pozitën e mirë gjeografike,biznese të fuqishme dhe resurse humane të bollshme" ka thënë Svarqa
Nga ky takim, kryesuesi i OEAK-së Arian Zeka, ka lansuar edhe idenë e krijimit të një Këshilli Konsultativ të bizneseve, të cilën ide e përkrahu edhe kryetari Svarqa duke thënë se Këshilli duhet ta luaj rolin lidhës në mes institucioneve lokale të pushtetit dhe bizneseve.
Gjatë debatit që u zhvilluar, përfaqësuesit e bizneseve ngritën një mori shqetësimesh, por që shumica prej tyre lidheshin me kompetencat e pushtetit qëndror. Problemi i TVSH-së, vonesave doganore dhe problemi i rrymës, ishin disa prej shqetësimeve që u apostrofuan nga bizneset. Ibrahim Bucaliu, nga Kompania "HIB-Petrol" theksoi se politika duhet të jetë sa më larg bizneseve, ndërsa Njazi Musliu nga Kompania "Eurometal" ngriti problemin e rrymës, ujit dhe kanalizimit në zonën industriale të Babushit.
Ndryshe, u tha se komuna e Ferizajt do të ofrojë në vazhdimësi mbështetje për kërkesat e të gjithë atyre që kanë për synim themelimin, rritjen e zgjerimin e ndërmarrjeve, sidomos të atyre prodhuese, me qëllim të stimulimit, lehtësimit dhe zhvillimit sa më të hovshëm ekonomik.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka bërë bashkë të enjten, në një takim komunitetin e biznesit të Ferizajt dhe drejtuesit e pushtetit lokal, në të cilin është biseduar për problemet dhe sfidat nëpër të cilat po kalojnë bizneset e komunës.