Kryetari i Komunës së Ferizajt, ka thene se Draft Buxheti për vitin 2014-2016, është një dokument i një rëndesie shumë të madhe dhe përmes takimeve konsultative po identifikon nevojat dhe prioritetet, të cilat do të bëhen pjesë e skemës buxhetore.
Në turin e tij konsultativ Kryetari Aliu ka vlerësuar punën që po bënë ekzekutivi, ndërsa ka falënderuar edhe Qeverinë e Kosovës që po i mbështetë projektet e tij të cilat po transformojnë rrënjësisht Ferizajn.
I pari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në takim me qytetarët ka theksuar se takimet konsultative në asnjë mënyrë nuk duhet të shikohen si takime elektorale ashtu siç ka theksuar edhe organziata Inpo, kinse këto takime janë pjesë ë fushatës zgjedhore.
"Këto takime nuk janë fushatë zgjedhore dhe ne i njoftojmë edhe INPON edhe të gjithë qytetarët e tjerë se Komuna e Ferizajt, këto takime konsultative mbahen që tre vite me radhe në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtin muaj. Është obligim i ynë që sipas ligjit të organizojmë dy dëgjime publike, por në mungesë të qytetarëve në sallë ne po i organizojmë këto takime që tre vite rresht në mënyrë që ne të jemi më afër qytetarit. Ne e kemi obligim që deri më datën 30 gusht Kuvendit të Komunës të ja dorëzojmë prioritete për buxhetin 2014-2016 dhe pastaj është Kuvendi ai që duhet të organizojë edhe një dëgjim publik", ka thënë Aliu.
Aliu, në takim me banorë të fshatrave të ndryshme ka thënë se buxheti i cili pritet të miratohet në vjeshtë do të fokusohet kryesisht në investimet strategjike që nënkupton realizimin e disa projekteve kapitale të cilat do të jenë bazë për transformim urban të qytetit.
“Jemi në fazën e realizimit të dy projekteve madhore, atë të sheshit të qytetit dhe të rrugës me katër korsi “Rexhep Bislimi”. Jemi të fokusuar që të gjitha hyrjet –daljet e Ferizajt të bëhen me katër korsi. Mu për këtë tashmë kanë përfunduar procedurat për projektin e rregullimit të rrugës “Brahim Ademi” në drejtim të Shtimes dhe rrugës nga palestra e sportit “Bill Kllinton” deri në magjistralen Ferizaj-Prishtinë. Kur kësaj i shtohet edhe projekti i spitalit të ri që pritet të nis tash, dëshmon se Ferizaj po kalon nëpër një transformim të thellë urban” ka thënë Aliu, i cili me këtë rast ka falënderuar Qeverinë e Kosovës, por edhe deputetët e zonës në Kuvendin e Kosovës që po lobojnë për projekte më kapitale të komunës.
“Për herë të parë buxheti i komunës po projektohet në bazë të regjistrimit të popullsisë me ç’rast Ferizaj ka përfituar një buxhet më të lartë. Vitin e ardhshëm e kemi një buxhet prej 23 milion eurove, ku vetëm për projekte kapitale do të jenë 9 milion euro” ka thënë Aliu.
Nga ana tjetër banorët kanë përgëzuar Komunën e Ferizajt dhe Kryetarin Agim Aliun, për projektet që deri tash i ka realizuar projekte këto të një rëndësie jetike për ta.
Ata në takimet konsultative, kanë paraqitur edhe disa projekte që sipas tyre janë të domosdoshme për to, projekte këto të fushave sportive, rrugëve të thella nëpër fshatra dhe kërkesa të tjera.
Takime konsultative do të vazhdojnë edhe të hënën dhe të martën.
Banorët e fshatrave, Muhoc, Talinovc i Jerlive,Prelez i Jerlive, Tërrn, Bablak, Prelez i Muhaxherve, Surqinë, Cërnillë, Mirash, Fushë e Madhe,Talinovc i Muhaxherve, Sazli, Softaj, Mirosalë, Rahovicë, Papaz, Pojat,Bibaj, Fshat i Vjetër, Sojevë, Zllatar dhe Dardani, në takimin konsultativ me Kryetarin e Komunës, Agim Aliu dhe Drejtorin e Infrastrukturës, Ardian Ferizi, kanë adresuar një varg kërkesash për projekte të ndryshme në mënyrë që ato të futen në Draft Buxhetin 2014-2016.