Këtë të martë Komuna e Ferizajt nënshkroi marrëveshje të re, e cila ka të bëjë me përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, duke financuar projektin për hartimin e udhëzuesit praktik për biznese dhe investitorë në Komunën e Ferizajt.
Sipas drejtorit të Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit Mustafë Graincës, kjo marrëveshje për realizimin e këtij projekti, e pasuron edhe me tej klimën për të bërë biznes në komunën tonë, duke pasur parasysh edhe vendimet e më hershme të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu për lehtësirat e shumta në bërjen e jetës afariste të komunës sonë.
“Udhëzuesi praktik si dokument për biznese dhe investitorë do të përmbajë pjesët më të rëndësishme të ligjeve të cilat interferojnë në jetën afariste, pastaj rregulloren komunale, të dhënat e pakos lehtësuese për investimet e huaja në komunën tonë e çështje të tjera më rëndësi në këtë drejtim”tha Grainca
Gjithashtu në marrëveshje është specifikuar që bartës i përgjegjësisë për zhvillimin e procedurave për përzgjedhje të operatorit ekonomik për të realizuar këtë projekt është Caritasi i Luksmburgut.
Komuna e Ferizajt, që nga vitit 2008 ka bashkëpunuar në shumë projekte me Caritasin e Luksmburgut,duke mbështetur në strategjinë për zbutjen e varfërisë, përmes zhvillimit të qëndrueshëm 2012-2013,financuar nga Qeveria e Luksmburgut.